Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 9:1-17

Mateu 9:1-17 ALBB

Dhe ai, pasi hipi në barkë, kaloi në bregun tjetër dhe erdhi në qytetin e vet. Dhe ja, iu paraqit një paralitik i shtrirë në vig; dhe Jezusi, kur pa besimin që kishin ata, i tha paralitikut: ''Merr zemër, o bir, mëkatet e tua të janë falur!'' Atëherë disa skribë thanë me vete: ''Ky po blasfemon!''. Por Jezusi, duke njohur mendimet e tyre, tha: ''Pse mendoni gjëra të mbrapshta në zemrat tuaja? Në fakt, ç'është më e lehtë, të thuash: "Mëkatet e tua të janë falur", apo: "Çohu dhe ec"? Tani, që ta dini se Biri i njeriut ka autoritet në tokë të falë mëkatet: Çohu (i tha paralitikut), merr vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde''. Dhe ai u çua dhe shkoi në shtëpinë e vet. Turmat, kur e panë këtë, u çuditën dhe lëvdonin Perëndinë, që u kishte dhënë pushtet të tillë njerëzve. Pastaj Jezusi, duke shkuar tutje, pa një burrë që rrinte në doganë, i quajtur Mate, dhe i tha: ''Ndiqmë!''. Dhe ai u çua dhe e ndoqi. Dhe ndodhi që, kur Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, erdhën shumë tagrambledhës dhe mëkatarë dhe u ulën në tryezë bashkë me të dhe me dishepujt e tij. Farisenjtë, kur e panë këtë, u thanë dishepujve të tij: ''Pse Mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhësit dhe me mëkatarët?''. Jezusi, mbasi i dëgjoi, u tha atyre: ''Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjekun, por të sëmurët. Tani shkoni dhe mësoni ç'do të thotë: "Unë dua mëshirë dhe jo flijime". Sepse unë nuk erdha për të thirrur në pendim të drejtët, por mëkatarët''. Atëherë iu afruan dishepujt e Gjonit dhe i thanë: ''Pse ne dhe farisenjtë agjërojmë shpesh, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?''. Dhe Jezusi u tha atyre: ''A mund të mbajnë zi dasmorët, ndërsa dhëndri është midis tyre? Por do të vijë koha kur do t'ua marrin dhëndrin dhe atëherë ata do të agjërojnë. Askush nuk vë një copë prej stofi të ri mbi një petk të vjetër, sepse kështu arna bie dhe grisja bëhet më e madhe. Dhe as nuk shtihet vera e re në kacekë të vjetër; përndryshe kacekët shpohen, vera derdhet dhe kacekët humbin; por shtihet vera e re në kacekë të rinj, kështu që ruhen të dy''.