Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 24:29-51

Mateu 24:29-51 ALBB

''Tani, fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë dritën e vet, yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen. Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe. Ai do t'i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t'i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri. Tani mësoni nga fiku këtë shëmbëlltyrë: kur tashmë degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethet, ta dini se vera është afër. Kështu edhe ju, kur t'i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera. Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto. Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë. Tani sa për atë ditë dhe për atë orë, askush s'e di, as engjëjt e qiejve, por vetëm Ati im. Por, ashtu si qe në ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut. Sepse, ashtu si në ditët përpara përmbytjes, njerëzit hanin dhe pinin, martoheshin dhe martonin, derisa Noeu hyri në arkë; dhe nuk kuptuan asgjë, derisa erdhi përmbytja dhe i fshiu të gjithë; kështu do të ndodhë në ardhjen e Birit të njeriut. Atëherë dy do të jenë në arë, një do të merret dhe tjetri do të lihet. dy gra do të bluajnë në mulli, një do të merret dhe tjetra do të lihet. Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj. Por dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë orë të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t'i shpërthehej shtëpia. Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni''. ''Cili është, pra, ai shërbëtor besnik dhe i mençur, që zotëria e tij e caktoi përmbi shtëpiarët e vet, për t'u dhënë atyre ushqimin në kohën e duhur? Lum ai shërbëtor që, kur të kthehet zotëria e tij, e gjen duke bërë kështu. Në të vërtetë po ju them se ai do t'ia besojë administrimin e gjithë pasurisë së vet. Por, në qoftë se ky shërbëtor i mbrapshtë, thotë në zemër të vet: "Zotëria im vonon të vijë", dhe fillon t'i rrahë shokët e vet dhe të hajë e të pijë me pijanecët; zotëria e këtij shërbëtori do të vijë në atë ditë kur ai nuk e pret dhe në atë orë kur ai nuk e di; do ta ndëshkojë rëndë dhe do t'i rezervojë fatin e hipokritëve. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë