Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 21:1-17

Mateu 21:1-17 ALBB

Kur iu afruan Jeruzalemit dhe arritën në Betfage, afër Malit të Ullinjve, Jezusi dërgoi dy dishepuj, duke u thënë atyre: ''Shkoni në fshatin që ndodhet përballë jush; aty do të gjeni menjëherë një gomare të lidhur dhe një pulishtë me të; zgjidhini dhe m'i sillni! Dhe nëse dikush ju thotë gjë, i thoni se Zoti ka nevojë për to, por do t'i kthejë shpejt''. Tani kjo ndodhi për të përmbushur ç'ishte thënë nga profeti, që thotë: ''I thoni bijës së Sionit: Ja po të vjen mbreti yt, zemërbutë, hipur mbi një gomare, madje një pulishtë, pjellë e një kafshe barrë''. Dishepujt shkuan dhe vepruan ashtu si i kishte urdhëruar Jezusi. Sollën gomaren dhe pulishtin, shtruan mbi to mantelet e tyre, dhe ai u hipi. Dhe një turmë shumë e madhe shtronte mantelet e veta gjatë rrugës, ndërsa të tjerë thyenin degë nga pemët dhe i shtronin mbi rrugë. Turmat që vinin përpara dhe ato që e ndiqnin brohoritnin, duke thënë: ''Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në vendet shumë të larta!''. Dhe kur hyri Jezusi në Jeruzalem, gjithë qyteti u ngrit në këmbë dhe tha: ''Kush është ky?''. Dhe turmat thoshin: ''Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë. Pastaj Jezusi hyri në tempullin e Perëndisë, i dëboi të gjithë ata që shisnin dhe blinin në tempull dhe përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe ndenjëset e shitësve të pëllumbave. Dhe u tha atyre: ''Është shkruar: "Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutje", por ju e keni kthyer në një shpellë kusarësh''. Atëherë iu paraqitën të verbër dhe të çalë, dhe ai i shëroi. Por krerët e priftërinjve dhe skribët, kur panë mrekullitë që ai kishte bërë dhe fëmijët që brohoritnin në tempull duke thënë: ''Hosana Birit të Davidit!'', u zemëruan, dhe i thanë: ''A po dëgjon ti çfarë thonë këta?''. Jezusi u tha atyre: ''Po! A nuk keni lexuar kurrë: "Nga goja e të vegjëlve dhe të foshnjave në gji ti ke përgatitur lavdi"?''. Dhe, mbasi i la ata, doli nga qyteti për në Betani, dhe atje kaloi natën.