Fill pas kësaj Jezusi i detyroi dishepujt e vet të hyjnë në barkë dhe t'i prijnë në bregun tjetër, derisa ai t'i lëshojë turmat.
Mbasi i nisi ato, u ngjit vetëm mbi mal për t'u lutur. Dhe kur u ngrys ai gjendej aty, i vetëm fare.
Ndërkaq barka ndodhej në mes të detit; dhe përplasej nga valët sepse era i ishte e kundërt.
Në rojën e katërt të natës, Jezusi shkoi drejt tyre, duke ecur mbi det.
Dishepujt duke parë atë që po ecte mbi det, u trembën dhe thanë: ''Është një fantazmë!''. Dhe filluan të bërtasin nga frika;
por menjëherë Jezusi u foli atyre duke thënë: ''Qetësohuni; jam unë, mos kini frikë!''.
Dhe Pjetri, duke u përgjigjur tha: ''Zot, nëse je ti, më urdhëro të vij te ti mbi ujëra''.
Ai tha: ''Eja!''. Dhe Pjetri zbriti nga barka dhe eci mbi ujëra, për të shkuar te Jezusi.
Por, duke parë erën e fortë, kishte frikë, dhe duke filluar të fundosej, bërtiti duke thënë: ''O Zot, shpëtomë!''.
Dhe Jezusi ia zgjati menjëherë dorën, e zuri dhe i tha: ''O njeri besimpak, pse dyshove?''.
Pastaj, kur hynë në barkë, era pushoi.
Atëherë ata që ishin në barkë erdhën dhe e adhuruan, duke thënë: ''Me të vërtetë ti je Biri i Perëndisë!''.
Pastaj, mbasi dolën në bregun tjetër, erdhën në krahinën e Gjenesaretit.
Dhe njerëzit e atij vendi, sapo e njohën, e përhapën fjalën në gjithë krahinën përreth; dhe i sollën të gjithë të sëmurët;
dhe iu lutën që të mund t'i preknin të paktën cepin e rrobës së tij; dhe të gjithë ata që e prekën u shëruan plotësisht.