Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 13:36-58

Mateu 13:36-58 ALBB

Atëherë Jezusi, mbasi i lejoi turmat, u kthye në shtëpi dhe dishepujt e tij iu afruan e i thanë: ''Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë''. Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: ''Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut. Ara është bota, fara e mirë janë bijtë e mbretërisë dhe egjra janë bijtë e të ligut, dhe armiku që e ka mbjellë është djalli, ndërsa korrja është fundi i botës dhe korrësit janë engjëjt. Ashtu si mblidhet egjra dhe digjet në zjarr, kështu, do të ndodhë në mbarimin e botës. Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi, dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh. Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!''. ''Përsëri, mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë, që një njeri që e ka gjetur e fsheh; dhe, nga gëzimi që ka, shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë. Akoma mbretëria e qiejve i ngjan një tregtari që shkon të kërkojë margaritarë të bukur. Dhe, kur gjen një margaritar me vlerë të madhe, shkon dhe shet gjithçka që ka dhe e blen. Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një rrjete të hedhur në det, që mbledh gjithfarë lloje gjërash. Kur ajo është mbushur, peshkatarët e nxjerrin atë në breg, ulen dhe mbledhin në kosha ç'është e mirë, por i hedhin ata që nuk janë të mirë. Kështu do të ndodhë në mbarimin e botës; do të vijnë engjëjt dhe do t'i ndajnë të mbrapshtit nga të drejtët; dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh''. Jezusi u tha atyre: ''A i kuptuat të gjitha këto?''. Ata i thanë: ''Po, Zot''. Dhe ai u tha atyre: ''Prandaj çdo skrib, që është mësuar për mbretërinë e qiejve i ngjan një padroni shtëpie që nxjerr jashtë nga thesari i vet gjërat e reja dhe të vjetra''. Tani kur Jezusi i kishte mbaruar këto shëmbëlltyra, u largua që andej. Dhe, pasi erdhi në vendlindjen e tij, i mësonte ata në sinagogën e tyre, kështu që ata, habiteshin dhe thoshin: ''Nga i erdhën këtij kjo dituri dhe këto vepra të pushtetshme? A nuk është ky i biri i marangozit? Nuk quhet nëna e tij Mari, dhe vëllezërit e tij Jakob, Iose, Simon dhe Juda? Dhe motrat e tij nuk janë të gjitha ndër ne? Atëherë nga i erdhën këtij të gjitha këto?''. Dhe skandalizoheshin me të. Por Jezusi u tha atyre: ''Asnjë profet nuk përçmohet, veçse në vendlindjen e vet dhe në shtëpinë e vet''. Dhe, për shkak të mosbesimit të tyre, ai nuk bëri aty shumë vepra të pushtetshme.