Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 5:17-26

Luka 5:17-26 ALBB

Një ditë ndodhi që, ndërsa Jezusi po mësonte, ishin të pranishëm, ulur, disa farisenj dhe mësues të ligjit, që kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e Galilesë, të Judesë dhe nga Jeruzalemi; dhe fuqia e Zotit ishte me të, për t'i shëruar. Dhe ja, disa njerëz po sillnin mbi një vig një njeri të paralizuar dhe kërkonin ta fusnin brenda dhe ta vinin përpara tij. Por, duke mos gjetur se si ta fusnin brenda për shkak të turmës, hipën mbi çatinë e shtëpisë dhe e lëshuan përmjet tjegullave me gjithë vig midis njerëzve, përpara Jezusit. Dhe ai, duke parë besimin e tyre, i tha atij: ''Njeri, mëkatet e tua të janë falur''. Atëherë skribët dhe farisenjtë filluan të arsyetojnë duke thënë: ''Kush është ky që thotë blasfemi? Kush mund t'i falë mëkatet, përveç vetëm Perëndi?''. Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, e mori fjalën dhe tha: ''Ç'po arsyetoni në zemrat tuaja? Çfarë është më e lehtë, të thuhet: "Mëkatet e tua të janë falur", apo të thuhet: "Çohu dhe ec"? Tani, pra, me qëllim që ju ta dini se Biri i njeriut ka pushtet mbi tokë të falë mëkatet, unë të them (i tha të paralizuarit), çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!''. Dhe menjëherë ai njeri u ngrit përpara tyre, mori vigun mbi të cilin qe shtrirë dhe shkoi në shtëpinë e vet, duke përlëvduar Perëndinë. Dhe të gjithë u habitën dhe përlëvdonin Perëndinë, dhe, plot frikë, thoshin: ''Sot pamë gjëra të mahnitshme''.