Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 19:1-28

Luka 19:1-28 ALBB

Pastaj Jezusi hyri në Jeriko dhe po kalonte nëpër qytet; dhe ja, një njeri i quajtur Zake, i cili ishte kryetari i tagrambledhësve dhe ishte i pasur. Ai kërkonte të shihte kush ishte Jezusi, por nuk mundte për shkak të turmës, sepse ishte i shkurtër nga shtati. Atëherë rendi përpara dhe u ngjit në një fik për ta parë, sepse ai duhet të kalonte andej. Dhe kur Jezusi arriti në atë vend, i çoi sytë, e pa dhe i tha: ''Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde''. Dhe ai zbriti me nxitim dhe e priti me gëzim. Kur panë këtë, të gjithë murmuritën, duke thënë: ''Ai shkoi të rrijë në shtëpinë e një njeriu mëkatar''. Por Zakeu u çua dhe i tha Zotit: ''Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime dhe, po të kem marrë ndonjë gjë nga ndonjëri me mashtrim, do t'ia kthej katërfish''. Dhe Jezusi i tha: ''Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit. Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur''. Dhe, ndërsa ata po i dëgjonin këto, Jezusi vazhdoi të tregojë një shëmbëlltyrë, sepse ai ishte afër Jeruzalemit dhe ata mendonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë. Tha, pra: ''Një njeri fisnik shkoi në një vend të largët për të marrë në dorëzim një mbretëri e pastaj të kthehej. Dhe, si i thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mina dhe u tha atyre: "Tregtoni derisa të kthehem". Por qytetarët e vet e urrenin dhe i dërguan pas një përfaqësi duke thënë: "Nuk duam që ky të mbretërojë përmbi ne". Dhe kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t'i thërresin ata shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë paratë për të marrë vesh sa kishte fituar secili duke tregtuar. Atëherë doli i pari dhe tha: "Zot, mina jote dha dhjetë mina të tjera"; dhe ai tha: "Mirë, o shërbëtor i mirë, sepse ke qenë besnik në gjëra të vogla, merr sundimin mbi dhjetë qytete". Pastaj erdhi i dyti duke thënë: "Zot, mina jote dha edhe pesë mina"; dhe ai i tha edhe këtij: "Edhe ti ji sundimtar mbi pesë qytete". Atëherë erdhi një tjetër i cili tha: "Zot, ja mina jote që e ruajta në një shami, sepse kisha frikë nga ti, që je njeri i rreptë; ti merr atë që nuk ke vënë dhe korr atë që nuk ke mbjellë". Dhe zoti i tij i tha: "Do të të gjykoj nga vetë fjalët e tua, o shërbëtor i keq; ti e dije se jam njeri i rreptë, që marr atë që nuk kam vënë dhe korr atë që nuk kam mbjellë; përse nuk e vure paranë time në bankë që, kur të kthehem, ta marr bashkë me përqindje?". Pastaj u tha të pranishmëve: "Merrjani minën dhe ia jepni atij që ka dhjetë mina". Dhe ata i thanë: "Zot, po ai ka dhjetë mina". Unë po ju them se atij që ka, do t'i jepet; por atij që s'ka do t'i hiqet edhe ajo që ka. Veç kësaj, i sillni këtu armiqtë e mi, të cilët nuk donin që unë të mbretëroja mbi ta dhe i vritni përpara meje!"''. Mbasi tha këto gjëra, ai shkoi përpara duke u ngjitur në Jeruzalem.