Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 6:1-14

Gjoni 6:1-14 ALBB

Pas këtyre gjërave, Jezusi kaloi përtej detit të Galilesë, domethënë të Tiberiadës. Dhe një turmë e madhe e ndiqte, sepse shikonte shenjat që ai bënte mbi të lënguarit. Por Jezusi u ngjit mbi malin dhe atje u ul me dishepujt e tij. Dhe Pashka, festa e judenjve ishte afër. Jezusi, pra, i ngriti sytë dhe, duke parë se një turmë e madhe po vinte tek ai, i tha Filipit: ''Ku do të blejmë bukë që këta të mund të hanë?''. Por ai e thoshte këtë për ta vënë në provë, sepse ai e dinte ç'do të bënte. Filipi iu përgjigj: ''Dyqind denarë bukë nuk do të mjaftojnë për ata, që secili prej tyre mund të ketë një copë''. Andrea, i vëllai i Simon Pjetrit, një nga dishepujt e tij, i tha: ''Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël; por ç'janë këto për aq njerëz?''. Dhe Jezusi tha: ''Bëjini njerëzit të ulen!''. Por në atë vend kishte shumë bar. Njerëzit, pra, u ulën dhe ishin në numër rreth pesë mijë. Pastaj Jezusi mori bukët dhe, pasi falënderoi, ua ndau dishepujve dhe dishepujt njerëzve të ulur; të njëjtën gjë bënë edhe me peshqit, aq sa deshën. Dhe mbasi ata u ngopën, Jezusi u tha dishepujve të vet: ''Mblidhni copat që tepruan, që të mos shkojë dëm asgjë''. I mblodhën, pra, dhe mbushën dymbëdhjetë shporta me copa nga ato pesë bukë prej elbi që u tepruan atyre që kishin ngrënë. Atëherë njerëzit, kur panë shenjën që bëri Jezusi, thanë: Me të vërtetë ky është profeti, që duhet të vijë në botë''.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë