Ndërkaq dishepujt e vet po i luteshin duke thënë: ''Mësues, ha''.
Por ai u tha atyre: ''Unë kam një ushqim për të ngrënë të cilin ju s'e njihni''.
Prandaj dishepujt i thoshin njëri-tjetrit: ''Mos i solli vallë dikush për të ngrënë?''.
Jezusi u tha atyre: ''Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij.
A nuk thoni ju se ka edhe katër muaj dhe vjen korrja? Ja, unë po ju them: Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që tashmë zbardhojnë për korrjen.
Korrësi e merr shpërblimin dhe mbledh frytin për jetën e përjetshme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzohen së bashku.
Sepse në këtë vërtetohet e thëna: "Një mbjell e tjetri korr".
Unë ju dërgova të korrni atë për të cilin ju nuk u munduat; të tjerët u munduan dhe ju hytë në mundimin e tyre''.
Dhe shumë samaritanë nga ai qytet besuan në të, për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: ''Ai më tregoi gjithçka kam bërë''.
Por kur samaritanët erdhën tek ai, e lutën të qëndrojë me ta; dhe ai ndenji aty dy ditë.
Dhe shumë më tepër njerëz besuan për shkak të fjalës së tij.
Dhe ata i thoshin gruas: ''S'është më vetëm për shkak të fjalëve të tua që besojmë, por sepse ne vetë e kemi dëgjuar dhe dimë se ai është me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës''.
Pra, si kaluan ato dy ditë, ai u nis prej andej dhe shkoi në Galile,
sepse vetë Jezusi dëshmoi se një profet nuk nderohet në vendlindjen e vet.
Pra, kur arriti në Galile, galileasit e pritën, sepse kishin parë të gjitha ato që kishte bërë në Jeruzalem gjatë festës, sepse edhe ata kishin shkuar për festë.
Jezusi erdhi, pra, përsëri në Kanë të Galilesë, ku e kishte bërë ujin verë. Dhe aty ishte një nëpunës i mbretit, djali i të cilit ishte i sëmurë në Kapernaum.
Ky, kur dëgjoi se Jezusi kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi tek ai dhe iu lut që të zbriste e ta shëronte birin e tij, që ishte gati për vdekje.
Atëherë Jezusi i tha: ''Po të mos shikoni shenja dhe mrekulli, ju nuk besoni''.
Nëpunësi i mbretit i tha: ''Zot, zbrit para se djali im të vdesë''.
Jezusi i tha: ''Shko, djali yt jeton!''. Dhe ai njeri i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi.
Pikërisht kur ai po zbriste, i dolën përpara shërbëtorët e vet dhe e informuan duke thënë: ''Djali yt jeton!''.
Dhe ai i pyeti ata në cilën orë u bë më mirë; ata i thanë: ''Dje në orën e shtatë e lanë ethet''.
Atëherë i ati e kuptoi se ishte pikërisht në atë orë në të cilën Jezusi i kishte thënë: ''Djali yt jeton''; dhe besoi ai dhe gjithë shtëpia e tij.
Jezusi bëri edhe këtë shenjë të dytë, kur u kthye nga Judeja në Galile.