Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 6:3-16

Gjyqtarët 6:3-16 ALBB

Kur Izraeli mbaronte së mbjelli, midianitët bashkë me amalekitët dhe bijtë e lindjes niseshin kundër tij, e ngrinin kampin e tyre kundër izraelitëve, shkatërronin të gjitha prodhimet e vendit deri në Gaza dhe nuk linin në Izrael as mjete jetese, as dhen, as lopë, as gomarë. Sepse niseshin me bagëtinë e tyre dhe me çadrat e tyre, dhe arrinin të shumtë si karkalecat; ata dhe devetë e tyre ishin të panumërt dhe vinin në vend për ta shkatërruar. Kështu Izraeli u katandis në një varfëri të madhe për shkak të Midianit, dhe bijtë e Izraelit i klithën Zotit. Kur bijtë e Izraelit e thirrën Zotin për shkak të Midianit, Zoti u dërgoi bijve të Izraelit një profet, që u tha atyre: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë ju nxora nga Egjipti dhe nga shtëpia e skllavërisë; ju çlirova nga dora e egjiptasve dhe nga dora e të gjithë atyre që ju shtypnin; i dëbova para jush dhe ju dhashë vendin e tyre, dhe ju thashë: "Unë jam Zoti, Perëndia i juaj; mos kini frikë nga perënditë e amorenjve në vendin e të cilëve banoni"; por ju nuk ma keni dëgjuar fjalën". Pastaj erdhi Engjëlli i Zotit dhe u ul nën lisin e Ofrahut, që i përkiste Joashit, abiezeritit, ndërsa biri i tij Gedeoni shtinte grurin në një vend të ngushtë për ta shpëtuar nga midianitët. Engjëlli i Zotit iu shfaq dhe i tha: "Zoti është me ty, o luftëtar trim!". Gedeoni iu përgjigj: "Imzot, në rast se Zoti është me ne, atëherë pse na ndodhën tërë këto? Ku janë mrekullitë që na kanë treguar etërit tanë duke thënë: "A nuk na nxori Zoti nga Egjipti?". Por tani Zoti na ka braktisur dhe na ka lënë në duart e Midianit". Atëherë Zoti iu drejtua atij dhe i tha: "Shko me këtë fuqi që ke dhe shpëtoje Izraelin nga dora e Midianit. A nuk jam unë që po të dërgoj?". Ai iu përgjigj: "O Imzot, si mund ta shpëtoj Izraelin? Ja, familja ime është më e dobëta e Manasit, dhe unë jam më i vogli në shtëpinë e atit tim". Zoti i tha: "Por unë do të jem me ty dhe ti ke për t'i mundur midianitët sikur ata të ishin një njeri i vetëm".