Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 6:11-27

Gjyqtarët 6:11-27 ALBB

Pastaj erdhi Engjëlli i Zotit dhe u ul nën lisin e Ofrahut, që i përkiste Joashit, abiezeritit, ndërsa biri i tij Gedeoni shtinte grurin në një vend të ngushtë për ta shpëtuar nga midianitët. Engjëlli i Zotit iu shfaq dhe i tha: "Zoti është me ty, o luftëtar trim!". Gedeoni iu përgjigj: "Imzot, në rast se Zoti është me ne, atëherë pse na ndodhën tërë këto? Ku janë mrekullitë që na kanë treguar etërit tanë duke thënë: "A nuk na nxori Zoti nga Egjipti?". Por tani Zoti na ka braktisur dhe na ka lënë në duart e Midianit". Atëherë Zoti iu drejtua atij dhe i tha: "Shko me këtë fuqi që ke dhe shpëtoje Izraelin nga dora e Midianit. A nuk jam unë që po të dërgoj?". Ai iu përgjigj: "O Imzot, si mund ta shpëtoj Izraelin? Ja, familja ime është më e dobëta e Manasit, dhe unë jam më i vogli në shtëpinë e atit tim". Zoti i tha: "Por unë do të jem me ty dhe ti ke për t'i mundur midianitët sikur ata të ishin një njeri i vetëm". Atëherë Gedeoni i tha: "Në rast se kam gjetur hirin tënd, më jep një shenjë se je ti ai që flet me mua. Mos u largo, pra, që këtej para se të kthehem te ti, të të sjell blatimin e ushqimit dhe të ta vë përpara". Zoti tha: "Do të pres sa të kthehesh ti". Atëherë Gedeoni hyri në shtëpi dhe përgatiti një kec dhe kuleç pa maja me një efa miell; e vuri mishin në një shportë dhe lëngun në një kusi, ia çoi atij nën lisin dhe ia ofroi. Engjëlli i Zotit i tha: "Merre mishin dhe kuleçtë pa maja, vendosi mbi këtë shkëmb dhe derdh mbi to lëngun e mishit". Dhe ai veproi kështu. Atëherë Engjëlli i Zotit shtriu majën e bastunit që kishte në dorë dhe preku mishin dhe kuleçtë pa maja; e nga shkëmbi u ngrit një flakë që dogji mishin dhe kuleçtë pa maja; pastaj Engjëlli i Zotit u zhduk nga sytë e tij. Kështu Gedeoni e kuptoi se kishte të bënte me Engjëllin e Zotit dhe tha: "Vaj medet, o Zot, o Zot! Sepse e pashë Engjëllin e Zotit sy në sy!". Zoti i tha: "Paqja qoftë me ty, mos ki frikë, s'ke për të vdekur!". Atëherë Gedeoni ndërtoi një altar për Zotin dhe e quajti "Jehovah Shalom". Ai gjendet edhe sot në Ofrahun e abiezeritëve. Po atë natë Zoti i tha: "Merr demin e atit tënd dhe demin e dytë shtatëvjeçar, shemb altarin e Baalit që i përket atit tënd, dhe rrëzo Asherahun që i qëndron afër; pastaj ndërto një altar për Zotin, Perëndinë tënd, në majë të këtij shkëmbi sipas rregullit të caktuar; pastaj merr demin e dytë dhe ofroje si holokaust mbi lëndën e drurit të Asherahut që do të kesh rrëzuar". Atëherë Gedeoni mori dhjetë burra në mes të shërbëtorëve të tij dhe veproi ashtu siç i kishte thënë Zoti; por me qenë se kishte frikë nga shtëpia e atit të tij dhe nga njerëzit e qytetit, në vend që ta bënte këtë punë ditën, e bëri natën.