Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 4:1-16

Gjyqtarët 4:1-16 ALBB

Pas vdekjes së Ehudit, bijtë e Izraelit rifilluan të bëjnë atë që ishte e keqe në sytë e Zotit. Dhe Zoti i dha në duart e Jabinit, mbretit të Kanaanit, që mbretëronte në Hatsor. Komandanti i ushtrisë së tij ishte Sisera, që banonte në Harosheth të kombeve. Dhe bijtë e Izraelit i klithën Zotit, sepse Jabini kishte nëntëqind qerre të hekurta dhe prej njëzet vjetëve shtypte rëndë bijtë e Izraelit. Në atë kohë gjyqtare e Izraelit ishte një profete, Debora, gruaja e Lapidothit. Ajo e kishte zakon të ulej nën palmën e Deboras, midis Ramahut dhe Bethelit, në krahinën malore të Efraimit, dhe bijtë e Izraelit vinin tek ajo për të kërkuar të drejtën. Ajo dërgoi të thërrasë Barakun, birin e Abinoamit, nga Kedeshi i Neftalit, dhe i tha: "A nuk të ka urdhëruar Zoti, Perëndia i Izraelit: "Shko, marsho mbi malin Tabor dhe merr me vete dhjetë mijë burra nga bijtë e Neftalit dhe të Zabulonit. Unë do të tërheq në drejtimin tënd, në përruan Kishon, Siseran, komandantin e ushtrisë së Jabinit, me gjithë qerret dhe trupat e tij të shumta, dhe do të ta dorëzoj në dorën tënde"?". Baraku iu përgjigj: "Në rast se vjen me mua, unë do të shkoj; por në qoftë se ti nuk vjen me mua, nuk kam për të shkuar". Ajo tha: "Do të vij me siguri me ty; megjithatë në rrugën që je duke ndërmarrë nuk ke për të siguruar asnjë lavdi për vete, sepse Zoti do ta dorëzojë Siseran në duart e një gruaje". Pastaj Debora u ngrit dhe shkoi me Barakun në Kadesh. Baraku thirri Zabulonin dhe Neftalin në Kedesh; ai lëvizi në krye të dhjetë mijë burrave, dhe Debora shkoi bashkë me të. Heberi, keneu, ishte ndarë nga kenenjtë, pasardhës të Hobabit, vjehrrit të Moisiut, dhe i kishte ngritur çadrat e tij në lisin e Tsaanaimit, që ndodhet pranë Kedeshit. Siseras i thanë që Baraku, bir i Abinoamit, ishte ngjitur në malin Tabor. Kështu Sisera rreshtoi tërë qerret e tij, njëqind qerre të hekurta, dhe tërë njerëzit që ishin me të, nga Haroshethi i kombeve deri në përruan e Kishonit. Atëherë Debora i tha Barakut: "Çohu, sepse kjo është dita që Zoti e dorëzoi Siseran në dorën tënde. A nuk ka dalë vallë, Zoti para teje?". Kështu Baraku zbriti nga mali Tabor, i pasuar nga dhjetë mijë burra. Zoti e mundi Siseran, të gjitha qerret dhe tërë ushtrinë e tij, që u shfaros me shpatë përpara Barakut; por Sisera zbriti nga qerrja dhe iku me këmbë. Por Baraku i ndoqi qerret dhe ushtrinë deri në Harosheth të kombeve; dhe tërë ushtria e Siseras u shkatërrua nga goditjet me shpatë; nuk shpëtoi as edhe një njeri.