Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjyqtarët 16:4-22

Gjyqtarët 16:4-22 ALBB

Mbas kësaj ra në dashuri me një grua nga lugina e Sorekut, që quhej Delilah. Atëherë princat e filistenjve shkuan tek ajo dhe i thanë: "Bëje për vete dhe zbulo ku qëndron tërë ajo forcë e madhe e tij, në mënyrë që ta mposhtim për ta lidhur dhe për ta nënshtruar; pastaj do të të japim secili një mijë e njëqind sikla argjendi. Kështu Delilah i tha Sansonit: "Më thuaj të lutem, ku qëndron forca jote e madhe dhe në çfarë mënyre mund të të lidhin që të të nënshtrojnë". Sansoni iu përgjigj: "Në rast se më lidhin me shtatë tela të freskëta, jo akoma të thara, të harkut, unë do të bëhem i dobët dhe do të jem si gjithë burrat e tjerë". Atëherë princat e filistenjve i sollën shtatë tela të freskëta harku, jo akoma të thata, dhe ajo e lidhi me këto tela. Mirëpo kishte njerëz që rrinin në pritë pranë saj, në një dhomë të brendshme. Ajo i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë!". Por ai i këputi litarët, ashtu si këputet një fije shtupe kur ndjen zjarrin. Kështu e fshehta e forcës së tij mbeti e panjohur. Pastaj Delilah i tha Sansonit: "Ja, je tallur me mua dhe më ke treguar gënjeshtra; por tani, të lutem, më thuaj se me çfarë gjë mund të lidhesh". Ai iu përgjigj: "Në qoftë se më lidhin me litarë të rinj që nuk kanë qenë përdorur kurrë, unë do të bëhem i dobët dhe do të jem si çfarëdo burrë tjetër". Prandaj Delilah mori litarë të rinj, e lidhi dhe i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë". Dhe kishte njerëz në pritë në dhomën e brendshme. Ai i këputi litarët që kishte në krahë si të ishin penj. Atëherë Delilah i tha Sansonit: "Deri tani je tallur me mua dhe më ke thënë gënjeshtra; tregomë me se mund të lidhesh". Dhe ai iu përgjigj: "Mjafton të thurësh shtatë gërshetat e kokës sime me majën e tezgjahut". Ajo i thuri dhe i fiksoi në shulin e tezgjahut pastaj i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë". Por ai u zgjua nga gjumi dhe shkuli shulin nga tezgjahu dhe nga maja. Atëherë ajo i tha: "Si mund të më thuash: "Të dua", kur zemra jote nuk është me mua? Tri herë me radhë je tallur me mua dhe nuk më ke treguar ku qëndron forca jote e madhe". Tani, me qenë se ajo e bezdiste çdo ditë me fjalët e saj dhe e nxiste me ngulm, ai u zemërua për vdekje, dhe ia çeli asaj tërë zemrën, duke i thënë: "Kurrë nuk ka kaluar brisku mbi kokën time, sepse jam një nazire i Perëndisë, qysh në barkun e nënës sime; po të rruhesha, forca ime do të ikte, do të bëhesha i dobët dhe i njëllojtë si gjithë burrat e tjerë". Kur Delilah u bind që ai ia kishte çelur plotësisht zemrën, dërgoi të thërrasin princat e filistenjve dhe u dërgoi këto fjalë: "Ejani lart këtë radhë se ai ma hapi tërë zemrën e tij". Atëherë princat Pastaj ajo e vuri në gjumë mbi gjunjët e saj, thirri një njeri që i rroi të shtatë gërshetat të kokës së Sansonit; pastaj filloi ta trajtoj keq, dhe fuqia e tij e la. Atëherë ajo i tha: "Sanson, filistenjtë i ke mbi kokë". Ai u zgjua nga gjumi dhe tha: "Unë do t'ia dal si herët e tjera, do të shpengohem". Por nuk e dinte që Zoti e kishte braktisur. Dhe filistenjtë e zunë dhe i nxorën sytë; e zbritën në Gaza dhe e lidhën me zinxhirë prej bronzi. Dhe e vunë të rrotullojë mokrën në burg. Ndërkaq flokët e kokës, mbasi u rruan, filluan përsëri të rriten.