Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jakobit 3:1-12

Jakobit 3:1-12 ALBB

Vëllezër të mi, mos u bëni shumë mësues, duke ditur se do të kemi një gjykim më të ashpër, sepse të gjithë gabojmë në shumë gjëra. Në qoftë se dikush nuk gabon në të folur, është njeri i përsosur, dhe është gjithashtu i aftë t'i vërë fre gjithë trupit. Ja, u vëmë fre në gojë kuajve, që të na binden, dhe ta drejtojmë kështu gjithë trupin e tyre. Ja, edhe anijet, edhe pse janë shumë të mëdha dhe shtyhen nga erëra të forta, drejtohen nga një timon shumë i vogël, atje ku do timonieri. Kështu edhe gjuha është një gjymtyrë e vogël, por mbahet me të madh. Ja, një zjarr i vogël ç'pyll të madh djeg! Edhe gjuha është një zjarr, një botë paudhësie; ajo është vendosur midis gjymtyrëve tona, gjuha e fëlliq gjithë trupin, ndez ecjen e natyrës dhe ndizet nga Gehena. Sepse çdo lloj bishash, shpendësh, zvarranikësh e kafshësh të detit mund të zbuten dhe janë zbutur nga natyra njerëzore, kurse gjuhën asnjë nga njerëzit s'mund ta zbusë; është një e keqe e papërmbajtshme, plot me helm vdekjeprurës. Me atë ne bekojmë Perëndinë dhe Atin, dhe me të ne mallkojmë njerëzit që janë bërë sipas shëmbëllimit të Perëndisë. Nga e njëjta gojë del bekimi dhe mallkimi. Vëllezër të mi, nuk duhet të ishte kështu. Mos vallë burimi nxjerr nga e njëjta vrimë ujë të ëmbël e të hidhur? A mundet të prodhojë fiku ullinj, ose hardhia fiq? Kështu asnjë burim nuk mund të japë ujë të kripur dhe të ëmbël.