Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 49:1-12

Zanafilla 49:1-12 ALBB

Pastaj Jakobi thirri bijtë e tij dhe tha: "Mblidhuni që unë t'ju njoftoj çfarë do t'ju ndodhë në ditët e ardhshme. Mblidhuni dhe dëgjoni, o bijtë e Jakobit! Dëgjoni Izraelin, atin tuaj! Ruben, ti je i parëlinduri im, forca ime, filli i fuqisë sime, i dalluar për dinjitet dhe për forcë. I rrëmbyer si uji, ti nuk do të kesh epërsinë, sepse hipe mbi shtratin e atit tënd dhe e përdhose. Ai hipi mbi shtratin tim. Simeoni dhe Levi janë vëllezër: shpatat e tyre janë vegla dhune. Mos hyftë shpirti im në mendjen e tyre, lavdia ime mos u bashkoftë me kuvendin e tyre! Sepse në mërinë e tyre kanë vrarë njerëz, në kryeneçësinë e tyre u kanë prerë leqet e këmbëve demave. Mallkuar qoftë mëria e tyre, sepse ka qenë e egër, dhe tërbimi i tyre sepse ka qenë mizor! Unë do t'i ndaj te Jakobi dhe do t'i shpërndaj te Izraeli. Judë, vëllezërit e tu do të të lavdërojnë; dora jote do të jetë mbi zverkun e armiqve të tu; bijtë e atit tënd do të përkulen para teje. Juda është një luan i ri; ti zë fill nga preja, biri im; ai përkulet, struket si një luan, si një luaneshë; kush guxon ta zgjojë? Skeptri nuk do t'i hiqet Judës, as bastuni i komandimit nga këmbët e tij, derisa të vijë Shilohu; dhe atij do t'i binden popujt. Ai e lidh gomarin e tij të vogël në pjergull dhe kërriçin e gomaricës së tij në pjergullën më të mirë; i lan rrobat e tij në verë dhe mantelin e tij në gjakun e rrushit. Ai i ka sytë të ndritura nga vera dhe dhëmbët e bardha nga qumështi.