Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 24:28-51

Zanafilla 24:28-51 ALBB

Dhe vajza vrapoi për t'i treguar këto gjëra në shtëpinë e nënës së saj. Por Rebeka kishte një vëlla të quajtur Labano. Dhe Labano doli me vrap jashtë drejt burimit tek ai njeri. Sa pa unazën në hundë dhe byzylykët në kyçet e dorës të së motrës dhe dëgjoi fjalët që Rebeka, motra e tij, thoshte: "Kështu më foli ai njeri", iu afrua këtij njeriu, dhe ja që u gjet pranë deveve, afër burimit. Dhe tha: "Hyr, i bekuar nga Zoti! Pse rri jashtë? Unë kam përgatitur shtëpinë dhe një vend për devetë". Njeriu hyri në shtëpi, dhe Labano shkarkoi devetë, u dha kashtë dhe forazh deveve dhe solli ujë që të lante këmbët ai dhe njerëzit që ishin bashkë me të. Pastaj i vunë përpara për të ngrënë, por ai tha: "Nuk do të ha derisa të plotësoj porosinë që më kanë dhënë". Tjetri tha: "Fol". Atëherë ai tha: "Unë jam një shërbëtor i Abrahamit. Zoti e ka bekuar shumë zotërinë tim, që është bërë i madh; i ka dhënë dele dhe qe, argjend dhe flori, shërbyes dhe shërbyese, deve dhe gomarë. Por Sara, gruaja e zotërisë tim, i ka lindur në pleqërinë e saj një djalë zotërisë tim, i cili i ka dhënë atij gjithçka zotëron. Dhe zotëria im më vuri të betohem duke thënë: "Nuk do të marrësh grua për djalin tim nga bijtë e kanaanenjve, në vendin ku banoj; por do të shkosh në shtëpinë e babait tim dhe tek afria ime dhe aty do të marrësh një grua për birin tim". Atëherë unë i thashë zotërisë tim: "Ndofta gruaja nuk do të dojë të më ndjekë". Por ai u përgjigj: "Zoti, para të cilit kam ecur, do të dërgojë engjëllin e tij bashkë me ty dhe do ta bëj të mbarë udhëtimin tënd, dhe ti do të marrësh për birin tim një grua nga farefisi im dhe nga shtëpia e babait tim. Do të lirohesh nga betimi që më ke bërë kur të shkosh tek afria ime; dhe po të jetë se nuk duan të ta japin, do të lirohesh nga betimi që më ke bërë". Sot kam arritur te burimi dhe thashë: "O Zot, Perëndia i zotërisë tim Abraham, në rast se të pëlqen kështu, të lutem bëje të mbarë udhëtimin që kam filluar; Ja, unë po ndalem pranë burimit të ujit; bëj që vajza që ka për të dalë për të marrë ujë dhe së cilës do t'i them: "Lërmë të pi pak ujë nga shtamba jote", dhe që do të më thotë: "Pi sa ke nevojë dhe do të marr ujë edhe për devetë e tua", le të jetë gruaja që Zoti i ka caktuar djalit të zotërisë tim. Para se unë të kisha mbaruar së foluri në zemrën time, doli jashtë Rebeka me shtambën e saj mbi shpatull; ajo zbriti te burimi dhe mbushi ujë. Atëherë unë i thashë: "Oh, lërmë të pi!". Dhe ajo shpejtoi ta ulte shtambën nga shpatulla e saj dhe u përgjigj: "Pi dhe do t'u jap të pinë edhe deveve të tua". Kështu unë piva dhe ajo u dha të pinë edhe deveve. Atëherë e pyeta dhe i thashë: "Bijë e kujt je?". Ajo m'u përgjigj: "Jam bijë e Bethuelit, biri i Nahorit, që Milkah lindi". Kështu unë i vura unazën në hundë dhe byzylykët në kyçet e dorës. Pastaj u përkula, adhurova Zotin dhe e bekova Zotin, Perëndinë e Abrahamit, zotërisë tim, që më ka çuar në rrugën e drejtë për të marrë për birin e tij bijën e vëllait të zotërisë tim. Dhe tani në rast se doni të silleni me dashamirësi dhe besnikëri ndaj zotërisë tim, duhet të ma thoni; në rast se jo, ma thoni njëlloj dhe unë do të kthehem djathtas ose majtas". Atëherë Labano dhe Bethueli u përgjigjën dhe thanë: "Kjo varet nga Zoti; ne nuk mund të flasim as për mirë as për keq. Ja, Rebeka është këtu para teje, merre me vete, shko dhe ajo të bëhet gruaja e birit të zotërisë tënd, ashtu siç ka thënë Zoti".