Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 22:1-19

Zanafilla 22:1-19 ALBB

Mbas këtyre gjërave Perëndia e vuri në provë Abrahamin dhe i tha: "Abraham!" Ai u përgjigj: "Ja ku jam". Dhe Perëndia tha: "Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do, Isakun, shko në vendin e moriahëve dhe ofroje si holokaust në një nga malet që do të të tregoj". Kështu Abrahami u ngrit herët në mëngjes, i vuri samarin gomarit, mori me vete dy shërbyes dhe të birin Isak dhe çau dru për holokaustin; pastaj u nis drejt vendit ku i kishte thënë Perëndia të shkonte. Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë dhe pa së largu vendin. Atëherë Abrahami u tha shërbyesve të tij: "Rrini këtu bashkë me gomarin; unë dhe djali do të shkojmë deri atje dhe do të adhurojmë; pastaj do të kthehemi pranë jush". Kështu Abrahami mori drutë e holokaustit dhe i ngarkoi mbi Isakun, birin e tij; pastaj mori në dorë të vet zjarrin dhe u nisën rrugës që të dy. Dhe Isaku i foli atit të tij Abraham dhe i tha: "Ati im!". Abrahami iu përgjigj: "Ja ku jam, biri im". Dhe Isaku tha: "Ja zjarri dhe druri, po ku është qengji për holokaustin?". Abrahami u përgjigj: "Djali im, Perëndia do ta sigurojë vetë qengjin për holokaustin". Dhe vazhduan rrugën të dy bashkë. Kështu arritën në vendin që Perëndia i kishte treguar dhe atje Abrahami ndërtoi altarin dhe sistemoi drutë; pastaj e lidhi Isakun, birin e tij, dhe e vendosi mbi altar sipër druve. Pastaj Abrahami shtriu dorën dhe mori thikën për të vrarë të birin. Por Engjëlli i Zotit thirri nga qielli dhe i tha: "Abraham, Abraham!". Ai u përgjigj: "Ja ku jam". Engjëlli i tha: "Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke". Atëherë Abrahami ngriti sytë dhe shikoi; dhe ja prapa tij një dash i zënë për brirësh në një kaçube. Kështu Abrahami shkoi, mori dashin e tij dhe e ofroi si holokaust në vend të të birit. Dhe Abrahami e quajti këtë vend Jehovah Jireh. Prandaj edhe sot e kësaj dite thuhet: "Do të furnizohet mali i Zotit". Engjëlli i Zotit e thirri për të dytën herë Abrahamin nga qielli dhe tha: "Unë betohem për veten time, thotë Zoti, se ti e bëre këtë dhe nuk kurseve tët bir, të vetmin bir që ke, unë me siguri do të të bekoj fort dhe do të shumoj pasardhësit e tu si yjet e qiellit dhe si rëra që ndodhet në brigjet e detit dhe trashëgimtarët e tu do të zotërojnë portat e armiqve të tij. Dhe tërë kombet e tokës do të bekohen te pasardhësit e tu, sepse ti iu binde zërit tim". Pastaj Abrahami u kthye te shërbëtorët e tij, ata u ngritën dhe shkuan bashkë në Beer-Sheba. Dhe Abrahami zuri vend në Beer-Sheba.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Zanafilla 22:1-19