Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zanafilla 2:8-25

Zanafilla 2:8-25 ALBB

Pastaj Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar. Pastaj Zoti Perëndi bëri që të mbijnë nga toka lloj-lloj pemësh të këndshme nga pamja dhe që jepnin fruta të mira për t'u ngrënë; në mes të kopshtit gjendeshin edhe pema e jetës dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes. Një lumë dilte nga Edeni për të ujitur kopshtin dhe ndahej në katër rrjedha uji. Emri i lumit të parë është Pishon; është ai që rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka flori; dhe floriri i këtij vendi është i mirë; aty gjenden gjithashtu bdeli dhe guri i oniksit. Emri i lumit të dytë është Gihon, dhe ai rrethon tërë vendin e Kushit. Emri i lumit të tretë është Tigri, dhe është ai që rrjedh në lindje të Asirisë. Lumi i katërt është Eufrati. Zoti Perëndi e mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta ruante. Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: "Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri". Pastaj Zoti Perëndi tha: "Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t'i bëj një ndihmë që i leverdis". Dhe Zoti Perëndi formoi nga dheu tërë kafshët e fushës dhe tërë zogjtë e qiellit dhe i çoi te njeriu për të parë si do t'i quante; dhe sido që njeriu t'i quante qeniet e gjalla, ai do të ishte emri i tyre. Dhe njeriu u vuri emra tërë bagëtisë, zogjve të qiellit dhe çdo kafshe të fushave; por për njeriun nuk u gjend asnjë ndihmë e përshtatshme për të. Atëherë Zoti Perëndi e futi në një gjumë të thellë njeriun, të cilin e zuri gjumi; dhe mori një nga brinjët e tij dhe e mbylli mishin në atë vend. Pastaj Zoti Perëndi me brinjën që i kishte hequr njeriut formoi një grua dhe e çoi te njeriu. Dhe njeriu tha: "Kjo së fundi është kocka e kockave të mia dhe mishi i mishit tim. Ajo do të quhet grua sepse është nxjerrë nga burri". Për këtë arsye njeriu do të braktisë babanë dhe nënën e tij dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë një mish i vetëm. Dhe burri e gruaja e tij ishin që të dy lakuriq dhe nuk kishin turp prej kësaj.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Zanafilla 2:8-25