Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Eksodi 6:1-13

Eksodi 6:1-13 ALBB

Zoti i tha Moisiut: "Tani ke për të parë çfarë kam për t'i bërë Faraonit; sepse i detyruar nga një dorë e fuqishme ai do t'i lërë të shkojnë; po, i detyruar nga një dorë e fuqishme do t'i dëbojë nga vendi i tij". Pastaj Zoti i foli Moisiut dhe i tha: "Unë jam Zoti, dhe i jam shfaqur Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, si Perëndi i plotfuqishëm; por ata nuk më kishin njohur kurrë me emrin tim, Zot. Kam caktuar gjithashtu besëlidhjen time me ta, duke u premtuar se do t'u jap vendin e Kanaanit, vendin ku qëndruan si të huaj. Dëgjova edhe kujën e bijve të Izraelit që egjiptasit i mbajnë në skllavëri dhe m'u kujtua besëlidhja ime. Prandaj u thuaj bijve të Izraelit: "Unë jam Zoti; do t'ju heq nga punët e rënda që ju kanë imponuar egjiptasit, do t'ju çliroj nga skllavërimi i tyre dhe do t'ju çliroj me krah të shtrirë dhe ndëshkime të mëdha. Do t'ju marr si popullin tim, dhe do të jem Perëndia juaj; dhe ju do të mësoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju heq nga punët e rënda të imponuara nga egjiptasit. Dhe do t'ju bëj të hyni në vendin, që u betova t'i jap Abrahamit, Isakut dhe Jakobit; dhe do t'jua jap atë në trashëgimi. Unë jam Zoti"". Kështu u foli Moisiu bijve të Izraelit; por ata nuk ia vunë veshin Moisiut, nga shkaku i ankthit dhe i skllavërisë së rëndë. Zoti i foli edhe më Moisiut, duke i thënë: "Shko, foli Faraonit, mbretit të Egjiptit, që të lejojë bijtë e Izraelit të dalin nga vendi i tij". Por Moisiu foli përpara Zotit dhe i tha: "Ja, bijtë e Izraelit nuk më dëgjuan; si mundet Faraoni të më dëgjojë mua, që jam i parrethprerë në buzë?". Por Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit dhe i urdhëroi të shkonin te bijtë e Izraelit dhe te Faraoni mbret i Egjiptit, me qëllim që t'i nxirrnin bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit.