Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Eksodi 2:1-15

Eksodi 2:1-15 ALBB

Por një njeri i shtëpisë së Levit shkoi e mori për grua një bijë të Levit. Dhe gruaja u ngjiz dhe lindi një bir; dhe, duke parë që ishte i bukur, e mbajti fshehur tre muaj. Por, kur nuk mundi ta mbante më të fshehur, mori një kanistër prej xunkthi, e leu me bitum dhe katran, vendosi në të fëmijën dhe e la në kallamishtën në bregun e lumit. Motra e fëmijës rrinte në një farë largësie për të mësuar se çfarë do t'i ndodhte. Por vajza e Faraonit zbriti për t'u larë në lumë, ndërsa shërbëtoret e saj shëtisnin buzë lumit. Ajo pa kanistrën në kallamishte dhe dërgoi shërbëtoren e saj ta marrë. E hapi dhe pa fëmijën; dhe ja, i vogli po qante; asaj iu dhimbs dhe tha: "Ky është një fëmijë hebre". Atëherë motra e fëmijës i tha bijës së Faraonit: "A duhet të shkoj të thërras një tajë nga gratë hebre që ta mëndë këtë fëmijë për ty?". E bija e Faraonit iu përgjigj: "Shko". Dhe vajza shkoi të thërrasë nënën e fëmijës. Dhe bija e Faraonit i tha: "Merre me vete këtë fëmijë, mënde për mua, dhe unë do të të jap pagën tënde". Kështu gruaja e mori fëmijën dhe e mëndi. Kur fëmija u rrit, ajo ia çoi bijës së Faraonit; ai u bë bir i saj dhe ajo e quajti Moisi, duke thënë: "Sepse unë e nxora nga uji". Në ato ditë, kur Moisiu ishte rritur, ndodhi që ai doli për të gjetur vëllezërit e tij dhe vuri re se bënin punë të rënda; dhe pa një egjiptas që po rrihte një burrë hebre, një nga vëllezërit e tij. Dhe vështroi andej e këtej dhe, duke parë se nuk kishte njeri, e vrau egjiptasin dhe e fshehu pastaj nën rërë. Ditën e nesërme doli dhe pa dy burra hebrenj që po grindeshin; ai i tha atij që kishte faj: "Pse e rreh shokun tënd?". Por ai iu përgjigj: "Kush të ka vënë prijës dhe gjykatës mbi ne? Mos do të më vrasësh siç vrave egjiptasin?". Atëherë Moisiu u tremb, dhe tha: "Me siguri kjo gjë dihet nga të gjithë". Kur Faraoni dëgjoi të flitej për ngjarjen, kërkoi të vrasë Moisiun; por Moisiu iku nga prania e Faraonit dhe u vendos në vendin e Midianit; dhe u ul afër një pusi.