Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 5:17-30

Veprat e Apostujve 5:17-30 ALBB

Atëherë u ngritën kryeprifti dhe të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, plot smirë, dhe vunë dorë mbi apostujt dhe i futën në burgun publik. Por një engjëll i Zotit, natën, i hapi dyert e burgut dhe, si i nxori jashtë, tha: ''Shkoni, paraqituni në tempull dhe i shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete''. Dhe ata, si i dëgjuan këto, hynë në tempull kur zbardhte dita dhe mësonin. Por kryeprifti dhe ata që ishin me të, erdhën dhe thirrën bashkë sinedrin dhe të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit; pastaj dërguan rojet në burg për t'i sjellë apostujt. Por rojet, kur arritën në burg, nuk i gjetën; dhe kur u kthyen bënë raportimin e tyre, duke thënë: ''Ne e gjetëm burgun të mbyllur me kujdes dhe rojet në këmbë përpara dyerve; por kur i hapëm, nuk gjetëm asnjeri brenda''. Por kryeprifti, komandanti i rojeve të tempullit dhe krerët e priftërinjve, kur i dëgjuan këto gjëra, mbetën të habitur lidhur me këtë, sepse nuk dinin ç'donte të thoshte gjithë kjo punë. Por erdhi dikush që u raportoi atyre duke thënë: ''Ja, këta njerëz që ju i futët në burg janë në tempull dhe po mësojnë popullin''. Atëherë komandanti shkoi me rojet dhe i solli, pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë. Kështu, pra, i sollën dhe i paraqitën përpara sinedrit; dhe kryeprifti i pyeti, duke thënë: ''Po a nuk ju kemi ndaluar rreptësisht të mësoni në atë emër? Dhe ja, ju e keni mbushur Jeruzalemin me doktrinën tuaj dhe doni që të bjerë mbi ne gjaku i atij njeriu''. Por Pjetri dhe apostujt, duke u përgjigjur, thanë: ''Duhet t'i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve. Perëndia e etërve tanë e ka ringjallur Jezusin, që ju e vratë, duke e varur në dru.