Kur u liruan, ata u kthyen tek të vetët dhe u treguan gjithçka që krerët e priftërinjve dhe pleqtë u kishin thënë.
Kur i dëgjuan këto, ata unanimisht e ngritën zërin te Perëndia dhe thanë: ''O Zot, ti je Perëndia që ke bërë qiellin, tokën, detin dhe gjithçka që është në ta,
dhe që me anë të Frymës së Shenjtë ke thënë, nëpërmjet gojës së Davidit, shërbëtorit tënd: "Përse u zemëruan kombet, dhe popujt kurdisin gjëra të kota?
Mbretërit e dheut ngritën krye dhe princat u mblodhën bashkë kundër Zotit dhe kundër Krishtit të tij".
Sepse pikërisht kundër Birit tënd të shenjtë, që ti e vajose, u mblodhën Herodi dhe Ponc Pilati me johebrenjtë dhe me popullin e Izraelit,
për të bërë të gjitha ato që dora jote dhe këshilli yt kishin paracaktuar se do të ndodhnin.
Dhe tani, Zot, shqyrto kërcënimet e tyre dhe lejo që shërbëtorët e tu të kumtojnë fjalën tënde me plot çiltërsi,
duke e shtrirë dorën tënde për të shëruar dhe që të kryhen shenja dhe mrekulli në emër të Birit tënd të shenjtë Jezusit''.
Dhe, mbasi qenë lutur, vendi ku ishin mbledhur u drodh; dhe të gjithë u mbushën me Frymën e Shenjtë, dhe e shpallnin fjalën e Perëndisë me çiltërsi.
Dhe numri i madh i atyre që besuan ishte me një zemër të vetme dhe me një shpirt të vetëm; askush nuk thoshte se ç'kishte ishte e vet, por të gjitha gjërat i kishin të përbashkëta.
Dhe apostujt me fuqi të madhe jepnin dëshmi të ringjalljes së Zotit Jezus; dhe hir i madh ishte mbi të gjithë ata.
Sepse midis tyre nuk kishte asnjë nevojtar, sepse të gjithë ata që zotëronin ara ose shtëpi i shisnin dhe sillnin fitimin nga gjërat e shitura,
dhe i vinin te këmbët e apostujve; pastaj secilit i jepej, sipas nevojës së tij.
Kështu Iose, i mbiquajtur nga apostujt Barnaba (që do të thotë "biri i ngushëllimit"), Levit, me prejardhje nga Qipro,
kishte një arë, e shiti dhe solli fitimin dhe i vuri te këmbët e apostujve.