Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 23:1-11

Veprat e Apostujve 23:1-11 ALBB

Pali, duke shikuar nga sinedri, tha: ''Vëllezër, deri në këtë unë jam sjellë përpara Perëndisë me ndërgjegje krejt të mirë''. Kryeprifti Anania u dha urdhër atëherë atyre që ishin pranë tij ta godisnin në gojë. Atëherë Pali i tha: ''Perëndia do të të godasë ty, o mur i zbardhur. Ti je ulur të më gjykosh sipas ligjit dhe, duke e nëpërkëmbur atë, jep urdhër të më godasin''. Dhe ata që ishin të pranishëm thanë: ''E fyen ti kryepriftin e Perëndisë?''. Pali u përgjigj: ''Nuk e dija, o vëllezër, se është kryeprift, sepse është shkruar: "Ti nuk do të flasësh keq për princin e popullit tënd"''. Pali, pra, duke ditur se një pjesë ishte nga saducenj dhe tjetra nga farisenj, i thirri sinedrit: ''Vëllezër, unë jam farise, bir farisenjsh; për shkak të shpresës dhe të ringjalljes të së vdekurve unë po gjykohem''. Sapo tha këtë, lindi një grindje ndërmjet farisenjve dhe saducenjve, dhe kuvendi u përça; sepse saducenjtë thonë se nuk ka ringjallje, as engjëll, as frymë, ndërsa farisenjtë pohojnë edhe njërën dhe tjetrën. Atëherë u bë një zhurmë e madhe. Skribët e palës së farisenjve u çuan në këmbë dhe protestonin duke thënë: ''Ne nuk gjejmë asgjë të keqe te ky njeri; dhe nëse i ka folur një frymë ose një engjëll të mos luftojmë kundër Perëndisë''. Dhe duke qenë se grindja po shtohej, tribuni, nga druajtja se mos Pali bëhej copa-copa prej tyre, u dha urdhër ushtarëve të zbresin dhe ta heqin nga mesi i tyre, dhe ta çojnë përsëri në fortesë. Një natë më pas, Zoti iu shfaq atij dhe tha: ''Pal, kurajo, sepse sikurse ke dhënë dëshmi për mua në Jeruzalem, ashtu duhet të dëshmosh edhe në Romë''.