Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Samuelit 5:1-25

2 i Samuelit 5:1-25 ALBB

Atëherë tërë fiset e Izraelit erdhën te Davidi në Hebron dhe i thanë: "Ne jemi kocka dhe mishi yt. Edhe në të kaluarën, kur Sauli mbretëronte mbi ne, ishe ti që udhëhiqje dhe e çoje në rrugë të drejtë Izraelin. Zoti të ka thënë: "Ti do të ushqesh popullin tim, Izraelin, ti do të jesh princ që do të sundojë mbi Izraelin"". Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron dhe mbreti David lidhi një aleancë me ta në Hebron para Zotit, dhe ata e vajosën Davidin mbret të Izraelit. Davidi ishte tridhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi dyzet vjet. Në Hebron mbretëroi shtatë vjet e gjashtë muaj mbi Judën; dhe në Jeruzalem mbretëroi tridhjetë e tre vjet mbi gjithë Izraelin dhe Judën. Mbreti me njerëzit e tij u nis në drejtim të Jeruzalemit kundër jebusenjve, që banonin në atë vend. Këta i thanë Davidit: Nuk do të hysh këtu, sepse të verbrit dhe çalamanët do të të sprapsin!", duke dashur të thonë: "Davidi nuk ka për të hyrë kurrë këtu". Por Davidi e pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit (që është qyteti i Davidit). Davidi tha atë ditë: "Kushdo që i mund jebusenjtë, të arrijë deri në kanal dhe t'i sprapsë çalamanët dhe të verbrit që i urren Davidi". Prandaj thonë: "I verbri dhe çalamani nuk do të hyjnë në Shtëpi". Kështu Davidi u vendos në qytetin e fortifikuar dhe e quajti Qyteti i Davidit. Pastaj Davidi filloi të ndërtojë rreth e qark duke nisur nga Milo dhe në drejtim të pjesës së brendshme. Davidi bëhej gjithnjë më i madh dhe Zoti, Perëndia i ushtrive, ishte me të. Pastaj Hirami, mbret i Tiros, i dërgoi Davidit lajmëtarë, dru cedri, zdrukthëtarë dhe muratorë, që i ndërtuan një shtëpi Davidit. Atëherë Davidi u bind se Zoti po e vendoste si mbret të Izraelit dhe e lartësonte mbretërinë e tij për dashurinë që kishte për popullin e Izraelit. Pas arritjes së tij nga Hebroni, Davidi mori konkubina dhe bashkëshorte të tjera nga Jeruzalemi dhe kështu i lindën bij dhe bija të tjera. Këta janë emrat e bijve që i lindën në Jeruzalem: Shamua, Shobab, Nathan, Salomon, Ibhar, Elishua, Nefeg, Jafia, Elishama, Eliada, Elifelet. Kur filistenjtë mësuan që Davidi ishte vajosur mbret i Izraelit, tërë filistenjtë dolën në kërkim të Davidit. Sa e mësoi këtë, Davidi zbriti në qytetin e fortifikuar. Filistenjtë arritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit. Atëherë Davidi u këshillua me Zotin duke i thënë: "A duhet të dal kundër filistenjve? A do m'i lësh në duart e mia? Zoti i dha këtë përgjigje Davidit: "Dil, sepse pa tjetër do t'i lë filistenjtë në duart e tua". Kështu Davidi shkoi në Baal-Peratsim, ku i mundi, dhe tha: "Zoti ka krijuar një të çarë midis armiqve të mi përpara meje, si një e çarë e hapur nga ujërat". Filistenjtë i braktisën atje idhujt e tyre dhe Davidi dhe njerëzit e tij i morën me vete. Më vonë filistenjtë dolën përsëri dhe u përhapën në luginën e refaimëve. Kur Davidi u këshillua me Zotin, ai i tha: "Mos u dil përballë; merrua krahët, hidhu mbi ta përballë Balsamit. Kur të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e Balsamit, hidhu menjëherë në sulm, sepse atëherë Zoti do të dalë para teje për të mundur ushtrinë e filistenjve". Davidi veproi pikërisht ashtu si kishte urdhëruar Zoti dhe i mundi filistenjtë që nga Geba deri në Gezer