Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 i Mbretërve 1:3-10

2 i Mbretërve 1:3-10 ALBB

Por një engjëll i Zotit i tha tishbitit Elia: "Çohu dhe u dil përpara lajmëtarëve të mbretit të Samarisë dhe u thuaj atyre: "Mos vallë nuk ka Perëndi në Izrael, që ju shkoni të konsultoheni me Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit? Prandaj kështu thotë Zoti: "Ti nuk do të zbresësh më nga shtrati në të cilin ke hipur, por me siguri ke për të vdekur"". Pastaj Elia u largua. Lajmëtarët u kthyen te Ashaziahu, që i pyeti ata: "Pse u kthyet?". Ata u përgjigjën: "Një njeri na doli përpara dhe na tha: "Shkoni te mbreti që ju ka dërguar dhe i thoni: Kështu thotë Zoti: Mos vallë nuk ka asnjë Perëndi në Izrael që ti dërgon njerëz për t'u konsultuar me Baal-Zebubin, perëndinë e Ekronit? Prandaj nuk do të zbresësh nga shtrati mbi të cilin ke hipur, por me siguri ke për të vdekur"". Atëherë mbreti i pyeti ata: "Si ishte njeriu që ju doli përpara dhe ju tha këto fjalë?". Ata u përgjigjën: "Ishte një njeri i veshur me rroba leshi dhe me një brez prej lëkure rreth ijëve"; Ashaziahu tha: "Është Elia, tishbiti!". Atëherë mbreti dërgoi tek Elia një kapiten pesëdhjetësheje me pesëdhjetë njerëzit e tij; ai u ngjit tek ai dhe e gjeti Elian të ulur në majë të malit. Kapiteni i tha: "O njeriu i Perëndisë, mbreti të urdhëron të zbresësh". Elia u përgjigj dhe i tha kapitenit të pesëdhjetëshes: "Në rast se jam një njeri i Perëndisë, të zbresë zjarr nga qielli dhe të të zhdukë ty dhe të pesëdhjetë njerëzit që janë me ty!". Dhe nga qielli zbriti një zjarr, që zhduku atë dhe të pesëdhjetë njerëzit e tij.