Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 4:1-11

1 i Samuelit 4:1-11 ALBB

Fjala e Samuelit i drejtohej tërë Izraelit. Izraeli doli të luftojë kundër filistenjve dhe ngriti kampin e tij pranë Eben-Ezerit, ndërsa filistenjtë u vendosën pranë Afekut. Pastaj filistenjtë u renditën për betejë kundër Izraelit; filloi një betejë e madhe, por Izraeli u mund nga filistenjtë, të cilët vranë në fushën e betejës rreth katër mijë veta. Kur populli u kthye në kamp, pleqtë e Izraelit thanë: "Pse Zoti na mundi sot përpara filistenjve? Të shkojmë të marrim në Shiloh arkën e besëlidhjes së Zotit, në mënyrë që të ndodhet në mes nesh dhe të na shpëtojë nga duart e armiqve tanë!". Kështu populli dërgoi në Shiloh njerëz që të merrnin që andej arkën e besëlidhjes së Zotit të ushtrive, që ulët midis kerubinëve; dhe dy bijtë e Elit, Hofni dhe Finehasi, ishin aty me arkën e besëlidhjes së Perëndisë. Kur arka e besëlidhjes së Zotit hyri në kamp, i gjithë Izraeli shpërtheu në një britmë gëzimi aq të fuqishme sa vetë toka e drodh. Filistenjtë, duke dëgjuar buçimën e asaj britme, thanë: "Çfarë kuptimi ka buçima e kësaj britme të madhe në kampin e hebrenjve?". Pastaj mësuan që arka e Zotit kishte arritur në kamp. Kështu filistenjtë u trembën, sepse thoshin: "Perëndia erdhi në kamp". Dhe thirrën: "Mjerë ne! Një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë. Mjerë ne! Kush do të na shpëtojë nga duart e këtyre perëndive të fuqishme? Këto janë perënditë që i goditën egjiptasit me lloj-lloj plagësh në shkretëtirë. Qëndroni të fortë dhe silluni si burra, o filistenj, që të mos bëheni skllevër të hebrenjve, ashtu si ata qenë skllevërit tuaj. Silluni si burra dhe luftoni!". Kështu filistenjtë luftuan dhe Izraeli u mund; dhe gjithkush vrapoi te çadra e vet. Masakra qe me të vërtetë e madhe; Izraeli humbi tridhjetë mijë këmbësorë. Edhe arka e Perëndisë u morr dhe dy djemtë e Elit, Hofni dhe Finehasi, vdiqën.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë