Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 23:1-14

1 i Samuelit 23:1-14 ALBB

Pastaj i thanë Davidit: "Ja, filistenjtë janë duke luftuar kundër Kejlahut dhe po plaçkisnin lëmenjtë". Kështu Davidi u këshillua me Zotin, duke thënë: "Të shkoj unë t'i mund këta filistenj?". Zoti iu përgjigj me këto fjalë Davidit: "Shko, mundi filistenjtë dhe shpëto Kejlahun". Por njerëzit e Davidit i thanë: "Ja, ne na ka zënë frika që këtu në Jude, si do të bëhet pastaj në rast se shkojmë në Kejlah kundër trupave të filistenjve?". Davidi u këshillua përsëri me Zotin dhe Zoti iu përgjigj dhe i tha: "Çohu, zbrit në Kejlah, sepse unë do t'i jap filistenjtë në duart e tua". Atëherë Davidi shkoi me njerëzit e tij në Kejlah, luftoi kundër filistenjve, ua mori bagëtinë dhe bëri kërdi të madhe në radhët e tyre. Kështu Davidi çliroi banorët e Kejlahut. Kur Abiathari, bir i Ahimelekut, u strehua pranë Davidit në Kejlah, solli me vete edhe efodin. Saulin e njoftuan që Davidi kishte arritur në Kejlah. Atëherë Sauli tha: "Perëndia e ka dorëzuar në duart e mia, sepse vajti të mbyllet në një qytet që ka porta dhe shule.". Sauli mblodhi tërë popullin për luftë, për të zbritur në Kejlah dhe për të rrethuar Davidin dhe njerëzit e tij. Kur Davidi mësoi që Sauli po kurdiste të keqen kundër tij, i tha priftit Abiathar: "Sille këtu efodin". Pastaj Davidi tha: "O Zot, Perëndi i Izraelit, shërbëtori yt e ka kuptuar qartë që Sauli kërkon të vijë në Kejlah për ta shkatërruar qytetin për shkakun tim. Krerët e Kejlahut a do të më dorëzojnë në duart e tij? A do të zbresë Sauli si ka dëgjuar shërbëtori yt? O Zot, Perëndi i Izraelit, bëja të ditur shërbëtorit tënd!". Zoti u përgjigj: "Ka për të zbritur". Davidi pyeti akoma: "Krerët e Kejlahut a do të më dorëzojnë mua dhe njerëzit e mi në duart e Saulit?". Zoti u përgjigj: "Do t'ju dorëzojnë". Atëherë Davidi dhe njerëzit e tij, rreth gjashtëqind veta, dolën nga Kejlahu dhe brodhën sa andej e këtej. Kur Sauli u njoftua që Davidi kishte ikur nga Kejlahu, ai hoqi dorë nga fushata e tij. Davidi banoi në fortesa të shkretëtirës dhe qëndroi në krahinën malore të shkretëtirës së Zifit. Sauli e kërkonte vazhdimisht, por Perëndia nuk ia dorëzoi në dorë.