Bijtë e Elit ishin njerëz të këqij; nuk e njihnin Zotin. Dhe ja si silleshin këta priftërinj me popullin; kur dikush ofronte një flijim, shërbëtori i priftit vinte, kur mishi ziente, me një pirun me tri maja në dorë, dhe e fuste në tenxhere, në kazan apo në kusi, dhe tërë atë që piruni i madh tërhiqte sipër prifti e mbante për vete. Kështu vepronin me tërë izraelitët që shkonin në Shiloh. Edhe para se të digjnin dhjamin, shërbëtori i priftit vinte dhe i thoshte atij që bënte flijimin: "Më jep mish për ta pjekur për priftin, sepse ai nuk do të pranojë prej teje mish të pjekur, por mish të gjallë". Dhe në qoftë se njeriu i thoshte: "Më parë të tymoset dhjami, pastaj të marrësh sa të duash", ai përgjigjej: "Jo, duhet të ma japësh tani; përndryshe do ta marr me forcë". Prandaj mëkati i dy të rinjve ishte shumë i madh përpara Zotit, sepse ata përçmonin ofertat që i bëheshin Zotit. Por Samueli kryente shërbimin para Zotit, megjithëse akoma fëmijë, dhe ishte mbështjellë me një efod prej liri. E ëma i përgatiste një veshje të vogël dhe ia çonte çdo vit kur ngjitej me burrin e saj për të ofruar flijimin vjetor. Atëherë Eli bekonte Elkanahun dhe bashkëshorten e tij, duke thënë: "Zoti të dhëntë fëmijë të tjerë nga kjo grua, me kërkesën që ajo i ka bërë Zotit!". Pastaj ata ktheheshin në shtëpinë e tyre. Kështu Zoti vizitoi Anën, dhe kjo mbeti me barrë dhe lindi tre djem dhe dy vajza. Ndërkaq djali Samuel po rritej pranë Zotit. Por Eli ishte shumë plak dhe dëgjoi të gjitha ato që bijtë e tij i bënin gjithë Izraelit dhe si ata binin në shtrat me gratë që kryenin shërbimin në hyrje të çadrës së mbledhjes; dhe u tha atyre: "Pse bëni gjëra të tilla? Sepse dëgjoj nga tërë populli për veprimet tuaja të këqija. Mos, bijtë e mi, sepse zërat që dëgjoj për ju nuk janë aspak të mira; ju e shtyni popullin e Zotit të mëkatojë. Në rast se një njeri mëkaton kundër një njeriu tjetër, Perëndia e gjykon, por në rast se një njeri mëkaton kundër Zotit, kush do të ndërhyjë për të?". Por ata nuk e dëgjuan zërin e atit të tyre, sepse Zoti dëshironte të vdisnin. Ndërkaq fëmija Samuel po rritej në shtat dhe në mirëdashjen e Zotit dhe të njerëzve.
Lexo 1 i Samuelit 2
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: 1 i Samuelit 2:12-26
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video