Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 17:32-49

1 i Samuelit 17:32-49 ALBB

Davidi i tha Saulit: "Asnjeri të mos ligështohet për shkak të tij! Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë Filiste". Sauli i tha Davidit: "Ti nuk mund të shkosh të luftosh kundër këtij filisteu, sepse ti je akoma djalosh, ndërsa ai është një luftëtar qysh në të ritë e tij". Por Davidi iu përgjigj Saulit: "Shërbëtori yt kulloste kopenë e atit të tij; kur një luan ose një ari vinte për të rrëmbyer një dele nga kopeja, unë e ndiqja, e godisja dhe ia rrëmbeja nga goja; në qoftë se ai kthehej kundër meje, unë e kapja nga krifa, e godisja dhe e vrisja. Po, shërbëtori yt ka vrarë luanin dhe ariun; dhe ky filiste i parrethprerë do të pësojë të njëjtin fat, sepse ka fyer ushtrinë e Perëndisë të gjallë". Davidi shtoi: "Zoti që më shpëtoi nga kthetrat e luanit dhe nga panxha e ariut, do të më shpëtojë edhe nga dora e këtij filisteu". Atëherë Sauli i tha Davidit: "Shko dhe Zoti qoftë me ty". Pastaj Sauli e veshi Davidin me armaturën e tij, i vuri në kokë një përkrenare prej bronzi dhe i veshi parzmoren. Pastaj Davidi ngjeshi shpatën e Saulit mbi armaturën dhe u përpoq të ecë, sepse nuk ishte mësuar. Por Davidi i tha Saulit: "Unë nuk mund të eci me këtë armaturë, sepse nuk jam mësuar me të". Dhe kështu Davidi e hoqi nga trupi i tij. Pastaj mori në dorë shkopin e tij, zgjodhi pesë gurë të lëmuar në përrua, i vuri në torbën e bariut, në një thes të vogël që kishte me vete; pastaj me hobenë në dorë u nis kundër filisteut. Edhe filisteu përparoi duke iu afruar gjithnjë e më tepër Davidit, ndërsa shqytari i tij e paraprinte. Filisteu shikonte me kujdes dhe, me të parë Davidin, e përçmoi sepse ishte vetëm një i ri, kuqalash dhe i hijshëm. Filisteu i tha Davidit: "Mos jam vallë një qen që po del kundër meje me shkop në dorë?". Dhe filisteu e mallkoi Davidin në emër të perëndive të tij. Pastaj filisteu i tha Davidit: "Eja këtu, dhe unë do t'ia jap mishin tënd shpendëve të qiellit dhe kafshëve të fushave". Atëherë Davidi iu përgjigj filisteut: "Ti po më vjen me shpatë, me shtizë dhe me ushtë; kurse unë po të dal në emër të Zotit të ushtrive, Perëndisë të ushtrisë së Izraelit që ti ke fyer. Pikërisht sot Zoti do të të dorëzojë në duart e mia; dhe unë do të të rrëzoj, do të pres kokën tënde dhe do t'u jap pikërisht sot kufomat e ushtrisë së filistenjve shpendëve të qiellit dhe bishave të tokës, me qëllim që gjithë dheu të mësojë se ka një Perëndi në Izrael. Atëherë gjithë kjo turmë do të mësojë që Zoti nuk të shpëton me anë të shpatës as me anë të shtizës; sepse përfundimi i betejës varet nga Zoti, dhe ai do t'ju dorëzojë në duart tona". Kur filisteu lëvizi dhe shkoi përpara për t'u ndeshur me Davidin, edhe Davidi nxitoi menjëherë drejt mejdanit, ballë filisteut; vuri dorën në thes, nxori prej tij një gur, e hodhi me hobenë dhe e goditi në ballë filisteun; guri iu fut në ballë dhe ai ra me fytyrë për tokë.