Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 i Samuelit 1:7-20

1 i Samuelit 1:7-20 ALBB

Kështu ndodhte çdo vit; sa herë që Ana ngjitej në shtëpinë e Zotit, Penina e ngacmonte; prandaj ajo qante dhe nuk hante më. Atëherë burri i saj Elkanahu i tha: "Ana, pse qan? Pse nuk ha? Pse është trishtuar zemra jote? A nuk jam unë për ty më i mirë se dhjetë fëmijë?". Pasi hëngrën dhe pinë në Shiloh, Ana u ngrit. Prifti Eli ishte ulur mbi ndenjësen që ndodhet në hyrje të tabernakullit të Zotit. Në trishtimin e shpirtit të saj i lutej Zotit duke qarë me dënesë. Pastaj lidhi një kusht, duke thënë: "O Zot i ushtrive, në se vërtetë interesohesh për fatkeqësinë që i ka rënë shërbëtores sate, në se ti më mban mend mua dhe nuk e harron shërbëtoren tënde, por dëshiron t'i japësh shërbëtores sate një fëmijë mashkull, unë do t'ia jap Zotit për të gjitha ditët e jetës së tij dhe brisku nuk ka për të kaluar mbi kokën e tij". Ndërsa ajo e zgjaste lutjen e saj përpara Zotit, Eli shikonte me kujdes gojën e saj. Ana fliste në zemër të saj; vetëm buzët i lëviznin, por zëri saj nuk dëgjohej; pikërisht për këtë Eli mendonte që ishte e dehur. Kështu Eli i tha: "Deri kur do të jesh e dehur? Të daltë pija!". Por Ana u përgjigj dhe tha: "Jo, imzot, unë jam një grua e vrarë në frymë dhe nuk kam pirë as verë, as pije të tjera dehëse, por isha duke hapur zemrën time para Zotit. Mos mendo se shërbëtorja jote është një grua e çoroditur, sepse ka qenë dhembja dhe hidhërimi i pamasë që më shtynë të flas deri tani". Atëherë Eli iu përgjigj: "Shko në paqe dhe Perëndia i Izraelit të dhëntë atë që i kërkove". Ajo u përgjigj: "Shërbëtorja jote pastë gjetur hirin në sytë e tu". Kështu gruaja iku në rrugën e saj, nisi të ushqehet dhe pamja e saj nuk ishte më e trishtuar. Ata u ngritën herët në mëngjes dhe ranë përmbys përpara Zotit; pastaj u nisën dhe u kthyen në shtëpinë e tyre në Ramah. Elkanahu njohu Anën, bashkëshorten e tij, dhe Zoti u kujtua për të. Në kohën e caktuar, Ana mbeti me barrë dhe lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Samuel, duke thënë: "Sepse ia kërkova Zotit".