Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

1 e Korintasve 11:1-16

1 e Korintasve 11:1-16 ALBB

Më imitoni mua, ashtu si unë jam imitues i Krishtit. Dhe unë po ju lavdëroj, vëllezër, që më kujtoni në të gjitha gjërat dhe i zbatoni porositë ashtu siç ua kam transmetuar. Por dua që të dini se kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia. Çdo burrë, kur lutet ose profetizon kokëmbuluar, turpëron kryet e tij. Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar. Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t'ia presin flokët; por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet. Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit, sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri, edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin. Prandaj gruaja, për shkak të engjëjve, duhet të ketë një shenjë pushteti mbi kryet. Gjithsesi në Zotin as burri s'është pa gruan, as gruaja pa burrin, sepse sikurse gruaja vjen nga burri, ashtu edhe burri lind nëpërmjet gruas, dhe çdo gjë vjen nga Perëndia. Gjykoni ndër veten tuaj. A i ka hije gruas t'i lutet Perëndisë pa u mbuluar? Po vetë natyra, a nuk ju mëson se, në qoftë se një burrë i mban flokët të gjata, kjo është çnderim për të? Por në qoftë se gruaja i ka flokët të gjata, kjo është lavdi për të, sepse flokët i janë dhënë asaj për mbulesë. Por në qoftë se ndokush mendon të kundërshtojë, ne s'kemi zakon të tillë, as kishat e Perëndisë.