Ndaj, pritmëni, kumton ZOTI,
pritni ditën kur të ngrihem si paditës.
Vendosa t'i mbledh kombet tok,
mbretëritë t'i bëj bashkë,
që të derdh mbi ta zemërimin tim,
tërë hidhërimin tim të flaktë,
se në zjarrin e zellit tim
mbarë toka do të përpihet.
Atëherë do t'ua pastroj buzët popujve,
që të gjithë të thërrasin emrin e ZOTIT
e t'i shërbejnë atij njëzëri.
Përtej lumenjve të Kushit,
adhuruesit e mi, bijat e atyre që degdisa,
kushtime do të më sjellin.
Atë ditë s'do të turpërohesh
për veprat që bëre,
kur ngrite krye kundër meje,
se do t'i heq mburravecët e të krekosurit prej teje
e ti s'do të krenohesh më
në malin tim të shenjtë.
Një popull të përvuajtur e të varfër,
do të lë mes teje.
Në emrin e ZOTIT do të gjejnë strehë.
Të mbeturit e Izraelit s'do të bëjnë padrejtësi,
s'do të thonë gënjeshtra,
gjuhë mashtruese nuk do të ketë mes tyre.
Do të kullotin e mrizojnë,
askush nuk do t'i shqetësojë!
Këndo, o bija e Sionit,
brohorit, o Izrael,
gëzohu e ngazëllehu me gjithë zemër,
o bija e Jerusalemit.
ZOTI e hoqi dënimin tënd,
armiqtë e tu i largoi.
ZOTI, mbreti i Izraelit, është mes teje,
s'do t'i trembesh më ligësisë.
Atë ditë do t'i thuhet Jerusalemit:
“Mos ki frikë, o Sion,
dora mos t'u dridhtë!”.
ZOTI, Perëndia yt, është mes teje,
trim shpëtimtar.
Me ty do të gëzohet plot hare,
do të qetësohet prej dashurisë,
do të brohorasë e këndojë për ty,
porsi në ditë feste.
Do ta heq prej teje fatkeqësinë,
që të mos përçmohesh më.
Ja, atë ditë do të merrem
me tërë shtypësit e tu.
Të çalin do ta shpëtoj,
të zbuarin do ta kthej.
Do t'u jap lavdi dhe emër
në çdo vend ku u poshtëruan.
Atë ditë do t'ju kthej,
në atë kohë do t'ju mbledh tok.
Do t'ju jap lavdi dhe emër
mes mbarë popujve të dheut,
kur fatin t'jua kthej para syve,
thotë ZOTI».