Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zakaria 8

8
Premtimi i Zotit
1Fjala e Zotit të ushtrive m'u drejtua: 2«Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Jam plot zell për Sionin. Më djeg zelli për të”. 3Kështu thotë Zoti: “Po kthehem në Sion e mes Jerusalemit do të banoj. Jerusalemi do të quhet qyteti Besnik, mali i Zotit të ushtrive, mali i Shenjtë!”. 4Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Sheshet e Jerusalemit do të kenë sërish pleq e plaka, secili me shkop në dorë për shkak të moshës së thyer. 5Sheshet e qytetit do të mbushen me djem e vajza që lodrojnë nëpër rrugë”. 6Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Sado e pamundur të duket në sytë e tepricës së popullit në ato ditë, nuk do të jetë e pamundur për mua, kumton Zoti i ushtrive”. 7Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Ja, po e shpëtoj popullin tim nga toka e lindjes e nga toka ku perëndon dielli. 8Do t'i kthej të banojnë në Jerusalem. Ata do të jenë populli im e unë Perëndia i tyre, në drejtësi e në të vërtetë”.
9Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Jepuni duarve, o ju që i dëgjuat këto kohë fjalët e profetëve, të cilët folën kur u hodh themeli i shtëpisë së Zotit të ushtrive, që të rindërtoni tempullin. 10Se para kësaj kohe nuk kishte shpërblim as për punën e njeriut e as për mundin e kafshës, nuk kishte paqe prej armikut për këdo që shkonte e vinte, se unë ju vija kundër njëri-tjetrit. 11Por, tani nuk do të sillem si më parë me tepricën e këtij populli, kumton Zoti i ushtrive. 12Fara e paqes do të mbillet, hardhia do të japë fryt, toka do të prodhojë e qielli shiun do ta derdhë. Të gjitha këto do t'ia jap për pjesë tepricës së këtij populli. 13Sikurse u bëtë mallkim mes kombeve, o shtëpia e Judës e shtëpia e Izraelit, po kështu do të shndërroheni në bekim mes tyre, kur unë t'ju shpëtoj. Mos kini, pra, frikë e merrni zemër!”.
14Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Sikurse vendosa t'ju ndëshkoja për shkak se u zemërova me etërit tuaj, thotë Zoti i ushtrive, e nuk tregova mëshirë, 15po kështu u ktheva këto ditë për t'i sjellë mirësi Jerusalemit e shtëpisë së Judës, ndaj mos kini frikë. 16Këto janë gjërat që duhet të bëni: i thoni të vërtetën njëri-tjetrit e tregohuni plotësisht#8.16 ose: paqe të drejtë kur të bëni gjyq nëpër kuvende. 17Askush të mos shestojë të keqen e tjetrit. Mos u jepni pas zotimeve të rreme, se i urrej të gjitha këto, kumton Zoti”».
18Atëherë fjala e Zotit të ushtrive m'u drejtua: 19«Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Agjërimi i muajit të katërt, i muajit të pestë, i muajit të shtatë e i muajit të dhjetë do të kthehet në ditë gëzimi, feste e kremtimi për shtëpinë e Judës, ndaj duajeni të vërtetën e paqen!”.
20Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Do të vijnë edhe popuj të tjerë e banorë të shumë qyteteve”. 21Banorët e njërit qytet do t'u thonë të tjerëve: “Ejani të shkojmë t'i përgjërohemi Zotit e të kërkojmë Zotin e ushtrive. Edhe unë do të shkoj!”. 22Kështu do të vijnë në Jerusalem shumë popuj e kombe të fuqishme për ta kërkuar Zotin e ushtrive e për t'iu përgjëruar. 23Kështu thotë Zoti i ushtrive: “Ato ditë dhjetë vetë nga kombe e gjuhë të ndryshme do të kapen pas fundit të rrobës së një judeu e do t'i thonë: na lër të vijmë me ty, se dëgjuam që Perëndia është me ju!”».

Aktualisht i përzgjedhur:

Zakaria 8: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr