Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ruta 4

4
Ruta martohet me Boazin
1Boazi shkoi te porta e qytetit dhe u ul. Në atë kohë po kalonte i afërmi tjetër për të cilin kishte folur. Boazi i tha: «O mik, eja e ulu këtu». Ai u kthye dhe u ul. 2Mori edhe dhjetë nga pleqtë e qytetit e u tha: «Uluni këtu!». Ata u ulën. 3Pastaj i tha të afërmit tjetër: «Naomi, që u kthye nga krahina e Moabit, ka nxjerrë në shitje pjesën e arës që i takon vëllait tonë Elimelekut. 4Mendova të të vë në dijeni që ta blesh në prani të këtyre që janë ulur këtu e të pleqve të popullit tim. Nëse do ta blesh#4.4 të tjerë: shpengosh, blije; nëse nuk do, më thuaj, që ta di. Të drejtën për ta trashëguar e ke ti, por pas teje e kam unë». Ai i tha Boazit: «Do ta blej».
5Atëherë Boazi i tha: «Ditën që do të marrësh arën nga dora e Naomit, do të marrësh edhe Rutën, moabite, gruan e të ndjerit, e do të mbash gjallë emrin e të ndjerit mbi trashëgiminë e tij». 6Ai iu përgjigj: «Atëherë, nuk e blej dot, sepse nuk dua të shkatërroj trashëgiminë time. Merre ti të drejtën time, sepse unë nuk mund ta blej».
7Asokohe, në Izrael, për blerjen e të drejtës së trashëgimisë dhe për ndryshimin e titullit të pronësisë, zakoni e donte të hiqej sandalja dhe t'i jepej tjetrit në shenjë miratimi për çdo marrëveshje. Në Izrael, kjo shërbente si provë.
8Kështu, i afërmi që kishte të drejtën e trashëgimisë i tha Boazit: «Blije ti» dhe hoqi sandalen. 9Boazi u tha pleqve dhe të gjithë popullit që ishte aty: «Sot jeni dëshmitarë se unë po blej nga dora e Naomit gjithçka që i përkiste Elimelekut dhe gjithçka që i përkiste Kilionit e Mahlonit. 10Po ashtu sot jeni dëshmitarë se po marr për grua Rutën nga Moabi, të venë e Mahlonit, për të mbajtur gjallë emrin e të ndjerit mbi trashëgiminë e tij, që emri i të ndjerit të mos shuhet mes emrave të të vëllezërve dhe mes banorëve të qytetit».
11Pleqtë dhe të gjithë ata që ishin te portat e qytetit thanë: «Jemi dëshmitarë. Gruan që do të hyjë në shtëpinë tënde Zoti e bëftë si Rakelën dhe si Lean, që e mbushën me pasardhës shtëpinë e Izraelit. U pasurofsh në Efratë dhe emri yt qoftë i njohur në Betlehem! 12Nga pasardhësi që do të të japë Zoti prej kësaj gruaje, u bëftë shtëpia jote si shtëpia e Perecit që i lindi Judës nga Tamara!».
13Atëherë Boazi e mori Rutën për grua dhe fjeti me të. Zoti e bekoi Rutën. Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi djalë. 14Gratë e qytetit i thanë Naomit: «I bekuar qoftë Zoti, se nuk të la sot pa trashëgimtar që t'i kujtohet emri në Izrael. 15Ai do të ta gjallërojë shpirtin dhe do të të mbajë në pleqëri, sepse ta lindi e reja që të do aq shumë dhe që është më e mirë për ty se shtatë djem». 16Naomi e mori djalin, e vuri në prehër dhe u kujdes për ta rritur. 17Fqinjat e Naomit thanë: «Naomi u bë me djalë». Prandaj dhe i vunë emrin Obed. Ai është i ati i Jeseut, që është i ati i Davidit.
Paraardhësit e Davidit
18Këta janë pasardhësit e Perecit: Perecit i lindi Hecroni, 19Hecronit i lindi Rami, Ramit i lindi Aminadabi, 20Aminadabit i lindi Nahshoni, Nahshonit i lindi Salmoni, 21Salmonit i lindi Boazi, Boazit i lindi Obedi, 22Obedit i lindi Jeseu dhe Jeseut i lindi Davidi.

Aktualisht i përzgjedhur:

Ruta 4: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr