Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ruta 2:14-23

Ruta 2:14-23 AL1

Kur erdhi koha për të ngrënë, Boazi i tha: «Eja këtu e ha pak bukë dhe ngjyeje kafshatën në uthull». Ajo u ul pranë korrësve dhe Boazi i dha kaçamak. Ruta hëngri, u ngop e i teproi. Kur Ruta u ngrit për të mbledhur kallinj, Boazi i urdhëroi shërbëtorët e tij: «Lëreni të mbledhë kallinj edhe mes duajve e mos i thoni gjë. Këpusni edhe disa kallinj për të dhe lërini që t'i mbledhë, por mos i thoni gjë». Ruta mblodhi kallinj në fushë deri në darkë. Pastaj i shiu kallinjtë që kishte mbledhur dhe u bënë rreth tridhjetë kilogramë elb. E ngarkoi, shkoi në qytet dhe i tregoi vjehrrës ç'kishte mbledhur. Pastaj nxori çfarë i kishte tepruar nga dreka e ia dha. E vjehrra i tha: «Ku mblodhe kallinj sot? Ku punove? Bekuar qoftë ai që u kujdes për ty!». Atëherë Ruta i tregoi së vjehrrës se te kush kishte punuar e i tha: «Sot punova te një njeri që quhej Boaz». Dhe Naomi i tha të resë: «Atë e bekoftë ZOTI që nuk ka hequr dorë nga mirësia për të gjallët e për të vdekurit!». Pastaj i tha: «Është i afërmi ynë, një nga ata që kanë të drejtën të kujdesen për ne». Ruta, moabitja, i tha: «Ai më tha edhe të qëndroj me shërbëtorët e tij derisa të përfundojë korrja e arave të tij». Atëherë Naomi i tha Rutës, të resë: «Është mirë që do të dalësh me shërbëtoret e tij, bija ime, që mos të të bëj keq njeri në ndonjë arë tjetër». Kështu, Ruta qëndroi me shërbëtoret e Boazit për të mbledhur kallinj derisa përfundoi korrja e elbit dhe e grurit. Ajo banonte me vjehrrën e saj.