Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Ruta 2:1-13

Ruta 2:1-13 AL1

Naomi kishte një të afërm të burrit, një njeri të pasur dhe me rëndësi, që vinte nga familja e Elimelekut. Ai quhej Boaz. Ruta, moabitja, i tha Naomit: «Më lër të shkoj në arë që të mbledh kallinj gruri pas atij që do të tregohet i mirë me mua». Naomi i tha: «Shko, bija ime!». Ruta shkoi në arë dhe mblodhi kallinj pas korrësve. Rastisi që të ndodhej në pjesën e arës së Boazit, të afërmit të Elimelekut. Atëherë Boazi erdhi prej Betlehemit e u tha korrësve: «ZOTI qoftë me ju!». Ata iu përgjigjën: «ZOTI të bekoftë!». Pastaj Boazi pyeti shërbëtorin që mbikëqyrte korrësit: «E kujt është kjo vajzë?». Ai iu përgjigj: «Është ajo vajza moabite që u kthye me Naomin nga krahina e Moabit. M'u lut ta lija të mblidhte kallinj pas korrësve. Ka ardhur që në mëngjes dhe ka qëndruar deri tani pa shkuar fare në shtëpi». Atëherë Boazi i tha Rutës: «Dëgjo, bija ime! Mos shko në tjetër arë për të mbledhur kallinj, por qëndro në këtë arë me shërbëtoret e mia. Mbaji sytë tek ara ku korrin dhe shko pas tyre. U kam dhënë urdhër shërbëtorëve që mos të të prekin. Po të kesh etje, shko të pish te shtambat që mbushin ata». Atëherë ajo u përkul me nderim përdhe e i tha: «Si kam gjetur hir para teje që po kujdesesh për mua, një të huaj?». Boazi iu përgjigj: «Më treguan gjithçka bëre për vjehrrën tënde pasi të vdiq burri, si le atin, nënën dhe tokën e të parëve të tu dhe erdhe te një popull që nuk e njihje më parë. ZOTI të shpërbleftë për çfarë ke bërë dhe marrsh shpërblim të plotë nga ZOTI, Perëndia i Izraelit, nën krahët e të cilit ke ardhur për të gjetur strehë!». Ruta i tha: «Gjetsha hir para teje, imzot, sepse më ke ngushëlluar dhe i ke folur zemrës së shërbëtores tënde, megjithëse unë nuk jam një nga shërbëtoret e tua».