Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 9:1-18

Romakëve 9:1-18 AL1

Po ju them të vërtetën dhe kam Krishtin si dëshmitar se nuk gënjej. Për këtë dëshmon edhe ndërgjegjja ime e udhëhequr nga Shpirti i shenjtë, se kam një pikëllim të madh dhe një dhimbje të pareshtur në zemër. Do të doja të isha unë i mallkuar nga Perëndia dhe i ndarë nga Krishti për hir të vëllezërve të mi sipas mishit. Ata janë izraelitë e të birësuar nga Perëndia. Atyre u janë dhënë lavdia e Perëndisë, besëlidhjet, ligji i Moisiut, shërbesa e adhurimit të Perëndisë dhe premtimet e tij. Ata janë pasardhësit e patriarkëve dhe prej tyre, për nga mishi, rrjedh edhe Krishti, që është mbi të gjithë, Perëndi i bekuar në amshim. Amen! Fjala e Perëndisë nuk ka dështuar, sepse jo të gjithë ata që rrjedhin nga Izraeli janë izraelitë. As ata që rrjedhin nga fara e Abrahamit nuk janë të gjithë bijtë e tij, por pasardhësit e tu do të rrjedhin nga fara e Isakut. Kjo do të thotë se nuk janë bijtë për nga mishi ata që janë bij të Perëndisë, por janë bijtë e premtimit ata që njihen si pasardhës. Sepse kjo është fjala e premtimit: në kohën e duhur do të vij te ti dhe Sara do të bëhet me djalë. Jo vetëm kaq, por edhe Rebeka mbeti shtatzënë nga po ky burrë, nga Isaku, ati ynë. Binjakët nuk kishin lindur ende dhe nuk kishin bërë ndonjë të mirë a të keqe kur Perëndia, për të treguar se qëllimi i tij mbështetet vetëm në zgjedhjen e tij, jo te veprat e njeriut, por tek ai që e thërret, i tha Rebekës: më i madhi do t'i shërbejë më të voglit. Sikurse është shkruar: Jakobin e desha, por Esaun e urreva. Ç'të themi pra? A është Perëndia i padrejtë? Larg qoftë! Sepse ai i thotë Moisiut: do të kem mëshirë për atë që dua të mëshiroj e do të kem dhembshuri për atë që dua të kem dhembshuri. Pra, nuk varet as nga vullneti e as nga përpjekjet e njeriut, por nga Perëndia që ka mëshirë. Sepse Shkrimi i thotë faraonit: pikërisht për këtë gjë të kam lartësuar, që të shfaq fuqinë time në ty e që të shpallet emri im në të gjithë tokën. Kështu pra, Perëndia ka mëshirë për atë që do dhe bën kokëfortë atë që do.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë