Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 8:18-28

Romakëve 8:18-28 AL1

Unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme as nuk ia vlen të krahasohen me lavdinë që do të na zbulohet në të ardhmen. Gjithçka e krijuar nga Perëndia pret me padurim që ai të shfaqë bijtë e tij. Në të vërtetë, gjithçka e krijuar iu nënshtrua prishjes jo me vullnetin e vet, por për shkak të atij që e nënshtroi. Megjithatë ka shpresë se gjithçka e krijuar do të çlirohet nga robëria e kalbjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë. Ne e dimë se deri tani gjithçka e krijuar rënkon dhe vuan bashkë me ne si një grua në dhimbjet e lindjes; dhe jo vetëm gjithçka e krijuar, por edhe vetë ne që i kemi marrë frytet e para të Shpirtit rënkojmë përbrenda vetes, duke pritur me padurim birësimin dhe shpengimin e trupave tanë. Sepse u shpëtuam me anë të shpresës, por shpresa që shihet nuk është shpresë. Përse duhet ta shpresojë njeriu atë që sheh? Por nëse e shpresojmë atë që nuk e shohim, atëherë e presim me durim. Po ashtu edhe Shpirti na ndihmon, sepse jemi të dobët. Ne nuk dimë as për çfarë e as si duhet të lutemi, por vetë Shpirti ndërmjetëson për ne me psherëtima të pashqiptueshme. Perëndia që shqyrton zemrat e di se cili është synimi i Shpirtit, sepse ai ndërmjetëson për të shenjtët siç i pëlqen Perëndisë. Ne e dimë se Perëndia bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan atë dhe që janë thirrur sipas qëllimit të tij.