Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 8:12-30

Romakëve 8:12-30 AL1

Prandaj, o vëllezër, detyrimi që kemi nuk është kundrejt dobësisë njerëzore për të jetuar sipas saj. Nëse jetoni sipas dobësisë njerëzore, ju do të vdisni; por nëse me anë të Shpirtit do t'i shkatërroni për vdekje veprat e dobësisë njerëzore, ju do të jetoni. Ata që udhëhiqen prej Shpirtit të Perëndisë janë bij të Perëndisë. Sepse Shpirti që keni marrë, nuk është një shpirt që ju bën skllevër për të pasur sërish frikë, por keni marrë Shpirtin që ju ka birësuar, nëpërmjet të cilit thërrasim: Abba, o Atë! Ky Shpirt dëshmon me shpirtin tonë se jemi bij të Perëndisë. Nëse jemi bij, jemi edhe trashëgimtarë; trashëgimtarë të Perëndisë si dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, sepse, nëse vuajmë bashkë me të, edhe do të përlëvdohemi bashkë me të. Unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme as nuk ia vlen të krahasohen me lavdinë që do të na zbulohet në të ardhmen. Gjithçka e krijuar nga Perëndia pret me padurim që ai të shfaqë bijtë e tij. Në të vërtetë, gjithçka e krijuar iu nënshtrua prishjes jo me vullnetin e vet, por për shkak të atij që e nënshtroi. Megjithatë ka shpresë se gjithçka e krijuar do të çlirohet nga robëria e kalbjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë. Ne e dimë se deri tani gjithçka e krijuar rënkon dhe vuan bashkë me ne si një grua në dhimbjet e lindjes; dhe jo vetëm gjithçka e krijuar, por edhe vetë ne që i kemi marrë frytet e para të Shpirtit rënkojmë përbrenda vetes, duke pritur me padurim birësimin dhe shpengimin e trupave tanë. Sepse u shpëtuam me anë të shpresës, por shpresa që shihet nuk është shpresë. Përse duhet ta shpresojë njeriu atë që sheh? Por nëse e shpresojmë atë që nuk e shohim, atëherë e presim me durim. Po ashtu edhe Shpirti na ndihmon, sepse jemi të dobët. Ne nuk dimë as për çfarë e as si duhet të lutemi, por vetë Shpirti ndërmjetëson për ne me psherëtima të pashqiptueshme. Perëndia që shqyrton zemrat e di se cili është synimi i Shpirtit, sepse ai ndërmjetëson për të shenjtët siç i pëlqen Perëndisë. Ne e dimë se Perëndia bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan atë dhe që janë thirrur sipas qëllimit të tij. Sepse Perëndia i njihte ata që më përpara dhe i paracaktoi për t'u bërë të ngjashëm me shëmbëllimin e Birit të tij, në mënyrë që Biri të jetë i parëlinduri mes shumë vëllezërve. Ata që i paracaktoi, edhe i thirri; ata që i thirri, edhe i bëri të drejtë; ata që i bëri të drejtë, edhe i përlëvdoi.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Romakëve 8:12-30

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë