Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 7:7-25

Romakëve 7:7-25 AL1

Ç'të themi, pra? A është ligji mëkat? Larg qoftë! Mirëpo nëse nuk do të ishte ligji, unë nuk do ta kisha njohur mëkatin. Unë nuk do ta kisha njohur lakminë nëse ligji nuk do të thoshte: mos lakmo! Por duke marrë shkas prej urdhërimit, mëkati bëri që të lindin brenda meje gjithfarë lakmish. Pa ligj, mëkati është i vdekur. Dikur unë jetoja pa ligjin, por kur u dha urdhërimi i këtij ligji, mëkati mori jetë dhe unë vdiqa. Kështu urdhërimi që duhej të më çonte në jetë më çoi drejt vdekjes. Sepse mëkati, duke marrë shkas prej urdhërimit, më mashtroi dhe përmes tij më vrau. Mirëpo ligji është i shenjtë dhe urdhërimi është i shenjtë, i drejtë e i mirë. Mos vallë e mira u bë shkak për vdekjen time? Larg qoftë! Vdekjen ma solli mëkati duke përdorur të mirën. Kështu, mëkati e tregoi qartë natyrën e tij të vërtetë dhe përmes urdhërimit u bë mëkat edhe më i rëndë. Ne e dimë se ligji është shpirtëror, ndërsa unë kam dobësinë e trupit dhe jam i shitur si skllav te mëkati. Nuk di çfarë bëj, sepse nuk bëj atë që dua, por bëj atë që urrej. Nëse bëj atë që nuk dua, pranoj se ligji është i mirë. Tani nuk jam më unë që veproj kështu, por mëkati që banon brenda meje. Unë e di se e mira nuk banon brenda meje, domethënë në dobësinë time njerëzore. Unë dua të bëj të mirën, por nuk mundem. Sepse nuk bëj të mirën që dua, por bëj të keqen që nuk dua. Por nëse bëj atë që nuk dua, nuk veproj më unë, por mëkati që banon në mua. Kështu kam zbuluar parimin sipas të cilit sa herë që dua të bëj të mirën, brenda meje gjej vetëm aftësinë për të bërë të keqen. Në të vërtetë, thellë brenda meje unë gjej kënaqësi në ligjin e Perëndisë, por shoh në gjymtyrët e mia një ligj tjetër, që lufton kundër ligjit të mendjes sime dhe më bën rob të ligjit të mëkatit, që gjendet në gjymtyrët e mia. Sa njeri i mjerë që jam! Kush do të më çlirojë nga ky trup që po më tërheq drejt vdekjes? I qofshim falë Perëndisë përmes Jezu Krishtit, Zotit tonë. Kështu pra, me mendje i shërbej ligjit të Perëndisë, por me trup i shërbej ligjit të mëkatit.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë