Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 6:6-18

Romakëve 6:6-18 AL1

Ne e dimë se njeriu i vjetër që ishte në ne u kryqëzua me Krishtin, që të shkatërrohet natyra jonë mëkatare e të mos jemi më skllevër të mëkatit. Kush ka vdekur, është çliruar nga mëkati. Nëse kemi vdekur me Krishtin, besojmë se do të jetojmë bashkë me të. Ne e dimë se Krishti u ngjall prej të vdekurve dhe nuk mund të vdesë më, sepse vdekja nuk ka më pushtet mbi të. Kur vdiq, Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për sa i përket mëkatit, por tani që jeton, jeton për Perëndinë. Kështu edhe ju duhet ta quani veten të vdekur për sa i përket mëkatit, por të gjallë për Perëndinë, me Krishtin Jezu. Prandaj mos lejoni të mbretërojë mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t'ju bëjë t'u bindeni dëshirave të tij. Mos i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete padrejtësie, por kushtojani veten Perëndisë, si njerëz që kanë kaluar nga vdekja në jetë. Përkundrazi, gjymtyrët tuaja i vini në shërbim të Perëndisë, si mjete drejtësie. Sepse mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, përderisa ju nuk jeni nën ligjin, por nën hirin e Perëndisë. Çfarë, pra? A të mëkatojmë meqë nuk jemi nën ligj, por nën hir? Larg qoftë! A nuk e dini se, duke u bërë skllevër të dikujt dhe duke iu bindur atij, ju bëheni skllevër të atij që i bindeni, qoftë të mëkatit që të çon në vdekje, qoftë të bindjes ndaj Perëndisë që të çon në një jetë të drejtë? Por i qofshim falë Perëndisë, sepse ju dikur ishit skllevër të mëkatit, ndërsa tani i jeni bindur me gjithë zemër gjedhes së mësimit që keni marrë. Ju u çliruat nga mëkati dhe u bëtë shërbëtorë të drejtësisë së Perëndisë.