Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 4:1-12

Romakëve 4:1-12 AL1

Ç'të themi, pra, për Abrahamin, stërgjyshin tonë? Çfarë fitoi ai si njeri? Nëse Abrahami do të ishte bërë i drejtë falë veprave, atëherë ai do të kishte pse të mburrej, por jo para Perëndisë. Çfarë thotë Shkrimi? Abrahami i besoi Perëndisë dhe falë besimit Perëndia e bëri të drejtë. Shpërblimi që i jepet punëtorit nuk është dhuratë, por është detyrim. Ndërsa ai që nuk ka vepra, por i beson Perëndisë që bën të drejtë mëkatarin, për shkak të besimit, bëhet i drejtë. Po ashtu edhe Davidi e quan të lum njeriun që Perëndia e bën të drejtë pa vepra: lum ata të cilëve u janë falur paudhësitë e u janë fshirë mëkatet! Lum njeriu, të cilit Zoti nuk do t'ia llogarisë mëkatin! A vlen kjo lumni vetëm për të rrethprerët apo edhe për të parrethprerët? Ne sapo thamë: falë besimit Perëndia e bëri të drejtë Abrahamin. Po kur e bëri të drejtë? Kur ishte i rrethprerë apo kur ishte i parrethprerë? Jo kur ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë. Abrahami e mori shenjën e rrethprerjes si vulë që tregonte se ishte bërë i drejtë përmes besimit kur ishte ende i parrethprerë. Kështu, ai u bë ati i të gjithë atyre që besojnë në Perëndinë pa u rrethprerë, në mënyrë që Perëndia t'i bëjë të drejtë për shkak të besimit. Ai u bë edhe ati i atyre të rrethprerëve që nuk janë vetëm të rrethprerë, por që edhe ecin në gjurmët e besimit që kishte ati ynë, Abrahami, para se të rrethpritej.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë