Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 3

3
1Pra, cila është epërsia e judeut? Apo çfarë dobie ka rrethprerja? 2Ajo ka shumë dobi nga çdo pikëpamje. Së pari, sepse judenjve iu besuan fjalët e Perëndisë. 3E çfarë, pra? Nëse disa prej tyre nuk i qëndruan besnik Perëndisë, mos vallë mosbesimi i tyre do të shfuqizonte besnikërinë e tij? 4Larg qoftë! Perëndia është i vërtetë në çdo gjë, megjithëse të gjithë njerëzit janë gënjeshtarë! Sikurse është shkruar:
që ti të dalësh i drejtë
në fjalët e tua
e të triumfosh
kur të gjykohesh.
5Por, nëse padrejtësia jonë nxjerr në pah drejtësinë e Perëndisë, çfarë të themi atëherë? Po të arsyetoja si njeri, do të shtroja pyetjen: mos vallë është i padrejtë Perëndia kur na ndëshkon? 6Larg qoftë! Përndryshe, si do ta gjykojë Perëndia botën? 7Nëse gënjeshtra ime nxjerr më në pah të vërtetën e Perëndisë dhe i jep më shumë lavdi atij, përse u dashka të gjykohem ende si mëkatar? 8Atëherë, përse të mos themi: «Le të bëjmë të keqen, që të vijë e mira!», siç na përflasin disa e na akuzojnë se paskemi thënë? Këta e meritojnë ndëshkimin.
Asnjë nuk është i drejtë
9Çfarë pra? A kemi epërsi ne judenjtë? Aspak! Sepse sapo e treguam se të gjithë, si judenjtë, edhe helenët, janë nën mëkat, 10sikurse është shkruar:
asnjeri nuk është i drejtë,
as edhe një.
11 Nuk gjendet asnjë që kupton.
Nuk gjendet asnjë që kërkon Perëndinë.
12 Të gjithë kanë dalë nga udha
dhe janë rrënuar.
Asnjeri nuk bën të mirën,
as edhe një i vetëm.
13 Gryka e tyre është varr i hapur.
Me gjuhë kanë mashtruar.
Nën buzë
kanë helm nepërkash.
14 Gojën e kanë plot mallkime e hidhësi.
15 Këmbët e tyre
vrapojnë për të derdhur gjak.
16 Në udhët e tyre
ka rrënim e mjerim.
17 Udhën e paqes
nuk e kanë njour,
18 frikën e Perëndisë
nuk e kanë parasysh.
19Ne e dimë se çfarëdo që thotë ligji, e thotë për ata që janë nën këtë ligj, kështu që çdo gojë të heshtë dhe gjithë bota të gjykohet prej Perëndisë. 20Asnjeri nuk do të bëhet i drejtë para Perëndisë nga veprat që urdhëron ligji, sepse nëpërmjet këtij ligji vjen vetëm njohja e mëkatit.
I drejtë përmes besimit
21Por tani na është shfaqur se Perëndia na bën të drejtë pa ndërmjetësinë e ligjit, gjë që e kanë dëshmuar ligji e profetët. 22Perëndia i bën të drejtë, përmes besimit në Jezu Krishtin, të gjithë ata që besojnë në të. Perëndia nuk bën dallim mes judenjve dhe helenëve, 23sepse të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e kanë lavdinë e Perëndisë. 24Ata u bënë të drejtë falas, me hirin e tij, përmes Krishtit Jezu, që i shpengoi nga mëkati. 25Perëndia e kushtoi Jezuin si fli pajtimi, që përmes besimit në gjakun e tij të tregojë drejtësinë e tij për faljen e mëkateve të kryera më parë. 26Në atë kohë Perëndia ishte i duruar me mëkatin, ndërsa në kohën e tanishme ai dëfton sesi i bën të drejtë njerëzit, duke dashur të tregojë se është vetë i drejtë dhe se bën të drejtë ata që besojnë në Jezuin.
27Ku shkoi mburrja? Ajo mori fund. Prej cilit ligj? Atij të veprave? Jo prej tij, por nëpërmjet ligjit të besimit. 28Ne, pra, mendojmë se njeriu bëhet i drejtë prej besimit, pa veprat që urdhëron ligji. 29A është vallë Perëndia, Perëndi i judenjve? A nuk është ai edhe Perëndia i kombeve të tjera? Po, ai është edhe Perëndi i kombeve të tjera, 30sepse ka vetëm një Perëndi. Ai do të bëjë të drejtë të rrethprerët prej besimit dhe të parrethprerët nëpërmjet besimit. 31Mos vallë nëpërmjet besimit shfuqizojmë ligjin? Larg qoftë! Përkundrazi, e vëmë ligjin në vendin e vet.

Aktualisht i përzgjedhur:

Romakëve 3: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr