Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 13:1-14

Romakëve 13:1-14 AL1

Çdo njeri t'u nënshtrohet pushteteve që ka mbi vete. Sepse nuk ka pushtet që nuk është nga Perëndia. Të gjitha pushtetet janë caktuar nga Perëndia. Pra, kush kundërshton pushtetin, i kundërvihet Perëndisë që e ka caktuar atë. Ata që e kundërshtojnë, i pret gjykimi. Nuk ka pse ta ketë frikë eprorin ai që bën të mirën, por ai që bën të keqen. A dëshiron të mos kesh frikë nga pushteti? Bëj të mirën dhe do të marrësh lavdërime prej tij. Sepse ai është shërbëtor i Perëndisë për të mirën. Por nëse ti bën të keqen, duhet të kesh frikë, se ai nuk e mban më kot shpatën. Ai është shërbëtor i Perëndisë dhe hakmerret e ndëshkon keqbërësit. Kështu duhet të nënshtroheni jo vetëm për shkak të ndëshkimit, por edhe për shkak të ndërgjegjes. Prandaj i paguani edhe taksat, sepse pushtetet që merren me këtë punë janë shërbëtorë të Perëndisë. Jepuni të gjithëve çfarë u takon: taksën atij që i takon taksa, taksën e doganës atij që i takon taksa e doganës, frikën atij që i takon t'i frikësoheni, nderimin atij që i takon nderimi. Mos i kini asnjë detyrim askujt, përveç detyrimit për të dashur njëri-tjetrin. Kush e do tjetrin, e ka përmbushur ligjin. Urdhërimet: mos bëj tradhti bashkëshortore, mos vrit, mos vidh , mos lakmo, dhe urdhërimet e tjera përmblidhen në këtë fjalë: duaje të afërtin si veten. Kush e do të afërtin, nuk i bën keq. Prandaj dashuria është përmbushja e ligjit. Bëjeni këtë, sepse ju e dini se në ç'kohëra jetojmë. Tashmë ka ardhur ora për t'u zgjuar nga gjumi. Shpëtimi ynë është më afër tani sesa kur besuam. Nata kaloi e dita po afron. Prandaj të hedhim tej veprat e errësirës e të ngjeshim armët e dritës. Të jetojmë me ndershmëri si ditën, jo në shthurje e dehje, jo në kurvëri e fëlligështi, jo në grindje e smirë. Por vishuni me Zotin Jezu Krisht dhe mos u përpiqni të kënaqni epshet e dobësisë njerëzore.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë