Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 12:3-21

Romakëve 12:3-21 AL1

Përmes hirit që më është dhënë po i them çdonjërit prej jush të mos e mbajë veten më të madh se ç'duhet, por të mendojë ashtu siç duhet, secili sipas masës së besimit që i ka dhënë Perëndia. Sikurse një trup ka shumë gjymtyrë, por jo të gjitha gjymtyrët kanë të njëjtën detyrë, ashtu edhe ne, që jemi shumë, jemi një trup i vetëm të bashkuar me Krishtin, secili gjymtyrë e tjetrit. Ne kemi dhunti të ndryshme sipas hirit që na është dhënë. Kush ka dhuratën e profecisë, të profetizojë sipas masës së besimit; kush ka dhuntinë e shërbimit, të shërbejë; kush ka dhuntinë për të mësuar të tjerët, t'i mësojë; kush ka dhuntinë për të këshilluar, të këshillojë; kush ndan të mirat e tij me të tjerët, ta bëjë me thjeshtësi; kush drejton, ta bëjë me zell; kush bën vepra bamirësie, t'i bëjë me gëzim. Dashuria të jetë pa shtirje. Urreni të keqen, kapuni pas së mirës. Duajeni njëri-tjetrin si vëllezër. Nderojeni tjetrin më shumë se veten. Mos t'ju mungojë zelli, por me zjarr në shpirt t'i shërbeni Zotit. Ngazëlloni në shpresë, duroni në vuajtje, këmbëngulni në lutje. Jepni për nevojat e të shenjtëve, jini mikpritës. Bekoni ata që ju përndjekin, bekoni e mos mallkoni. Gëzoni me ata që gëzojnë, vajtoni me ata që vajtojnë. Jini në një mendje me njëri-tjetrin; mos jini mendjemëdhenj, por përfillni të përulurit. Mos e mbani veten për të mençur. Mos ia ktheni askujt të keqen me të keqe. Kujdesuni të bëni të mirën në sytë e të gjithë njerëzve. Nëse është e mundur, për aq sa varet prej jush, jetoni në paqe me të gjithë njerëzit. Fort të dashur! Mos kërkoni shpagim, por lërini vend zemërimit të Perëndisë. Sepse është shkruar: shpagimi më përket mua dhe unë jam ai që do të marrë shpagim, thotë Zoti. Por, nëse armiku yt ka uri, jepi të hajë; nëse ka etje, jepi të pijë. Duke bërë kështu do të grumbullosh thëngjij të ndezur mbi kokën e tij. Mos u mposhtni nga e keqja, por mposhteni të keqen me të mirën.

Devocione dhe Plane Leximi falas për Romakëve 12:3-21

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë