Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 11:11-24

Romakëve 11:11-24 AL1

Prandaj pyes: mos vallë izraelitët u penguan për t'u rrënuar? Larg qoftë! Por përmes rënies së tyre u erdhi shpëtimi kombeve që ata të kishin zili. Nëse mangësia e tyre u bë pasuri për botën dhe dështimi i tyre pasuri për kombet, sa më e madhe do të jetë plotësia e tyre! Tani po ju flas juve, kombeve, sepse unë jam me të vërtetë apostull i kombeve. Unë po e lavdëroj shërbesën time për të nxitur disi zilinë e popullit tim dhe për të shpëtuar disa prej tyre. Nëse hedhja e tyre poshtë solli pajtimin e botës me Perëndinë, a nuk do të jetë pranimi i tyre nga Perëndia si kthim nga vdekja në jetë? Nëse mielli është i shenjtë, edhe brumi është i shenjtë, nëse rrënjët janë të shenjta, edhe degët janë të shenjta. Disa nga degët u prenë dhe në vend të tyre u shartove ti që je filiz ulliri të egër dhe kështu ushqehesh nga të mirat e rrënjës së ullirit. Prandaj mos u mburr kundër degëve. Nëse mburresh, mos harro se nuk je ti që mban rrënjën, por është rrënja që të mban ty. Por ti do të thuash: «Degët u prenë që të shartohesha unë». Mirë e the. Degët u prenë për shkak se nuk besuan, ndërsa ti qëndron, sepse ke besuar. Mos u mburr, por druaju. Nëse Perëndia nuk kurseu degët natyrore, ai nuk do të të kursejë as ty që u shartove. Shih sesi e tregon Perëndia mirësinë dhe ashpërsinë e tij: ai është i ashpër me ata që ranë, por është i mirë me ty, nëse do të qëndrosh në mirësinë e tij. Përndryshe do të pritesh edhe ti. Ndërsa ata, nëse nuk vazhdojnë në mosbesim, do të shartohen, sepse Perëndia ka fuqinë për t'i shartuar përsëri. Nëse ti je prerë prej një ulliri të egër nga natyra dhe përkundër natyrës u shartove në një ulli të butë, aq më tepër degët e ullirit të butë do të shartohen në trungun e vet!