Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 11:1-21

Romakëve 11:1-21 AL1

Prandaj pyes: mos vallë Perëndia e ka hedhur poshtë popullin e vet? Larg qoftë! Unë vetë jam izraelit, nga pasardhësit e Abrahamit, prej fisit të Benjaminit. Perëndia nuk e ka hedhur poshtë popullin e vet, të cilin e zgjodhi që më parë. Apo nuk e dini çfarë thotë Shkrimi për Elinë? Ai iu drejtua Perëndisë kundër Izraelit e i tha: «O Zot, ata vranë profetët e tu dhe rrënuan altarët e tu. Vetëm unë kam mbetur, ata kërkojnë jetën time». Por si u përgjigj Perëndia? « Kam ruajtur për vete shtatë mijë burra që nuk i kanë rënë në gjunjë Baalit ». Kështu, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një numër izraelitësh që Perëndia i ka zgjedhur me hirin e tij. Perëndia i zgjodhi ata me anë të hirit të tij dhe jo me anë të veprave të tyre, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir. E çfarë ndodhi? Izraeli nuk e mori atë që kërkoi, por e morën vetëm ata që zgjodhi Perëndia, ndërsa të tjerët u ngurtësuan, sikurse është shkruar: Perëndia u dha atyre një shpirt plogështie, sy për të mos parë e veshë për të mos dëgjuar deri në ditët e sotme. Dhe Davidi thotë: tryeza e tyre u bëftë kurth e lak, pengesë për rrëzimin e ndëshkimin e tyre! Sytë e tyre u errësofshin për të mos parë e kurrizi i tyre u kërrustë gjithmonë! Prandaj pyes: mos vallë izraelitët u penguan për t'u rrënuar? Larg qoftë! Por përmes rënies së tyre u erdhi shpëtimi kombeve që ata të kishin zili. Nëse mangësia e tyre u bë pasuri për botën dhe dështimi i tyre pasuri për kombet, sa më e madhe do të jetë plotësia e tyre! Tani po ju flas juve, kombeve, sepse unë jam me të vërtetë apostull i kombeve. Unë po e lavdëroj shërbesën time për të nxitur disi zilinë e popullit tim dhe për të shpëtuar disa prej tyre. Nëse hedhja e tyre poshtë solli pajtimin e botës me Perëndinë, a nuk do të jetë pranimi i tyre nga Perëndia si kthim nga vdekja në jetë? Nëse mielli është i shenjtë, edhe brumi është i shenjtë, nëse rrënjët janë të shenjta, edhe degët janë të shenjta. Disa nga degët u prenë dhe në vend të tyre u shartove ti që je filiz ulliri të egër dhe kështu ushqehesh nga të mirat e rrënjës së ullirit. Prandaj mos u mburr kundër degëve. Nëse mburresh, mos harro se nuk je ti që mban rrënjën, por është rrënja që të mban ty. Por ti do të thuash: «Degët u prenë që të shartohesha unë». Mirë e the. Degët u prenë për shkak se nuk besuan, ndërsa ti qëndron, sepse ke besuar. Mos u mburr, por druaju. Nëse Perëndia nuk kurseu degët natyrore, ai nuk do të të kursejë as ty që u shartove.