Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Romakëve 1:1-17

Romakëve 1:1-17 AL1

Unë, Pali, jam shërbëtor i Krishtit Jezu dhe Perëndia më ka thirrur për të qenë apostull e më ka ndarë veç për të predikuar ungjillin e Perëndisë. Ky ungjill, që Perëndia e premtoi që më parë përmes profetëve të tij në Shkrimet e shenjta, flet për Birin e tij, Zotin tonë Jezu Krisht. Për nga mishi, ai është pasardhës i Davidit, ndërsa me fuqinë e Shpirtit që shenjtëron, ai u dëftua Bir i Perëndisë kur u ngjall prej të vdekurve. Përmes tij Perëndia na ka dhënë hirin për të qenë apostuj, që të çojmë gjithë kombet drejt bindjes ndaj ungjillit dhe besimit në Krishtin, për lavdi të emrit të tij. Ndër këto kombe bëni pjesë edhe ju, sepse u thirrët nga Jezu Krishti. Po ju shkruaj të gjithëve ju në Romë që Perëndia ju do e ju ka thirrur për të qenë të shenjtë: paçi hir e paqe nga Perëndia, Ati ynë dhe nga Zoti Jezu Krisht! Së pari, e falënderoj Perëndinë tim përmes Jezu Krishtit për ju të gjithë, sepse besimi juaj po bëhet i njohur në tërë botën. Perëndia, të cilit i shërbej me gjithë shpirt në predikimin e ungjillit të Birit të tij, është dëshmitari im se ju kujtoj pa pushim në lutjet e mia, gjithmonë. I kërkoj Perëndisë, që, nëse është vullneti i tij, të mund të vij te ju më në fund. Kam shumë dëshirë t'ju shoh për t'ju dhënë ndonjë dhunti shpirtërore, që të forcoheni dhe kështu të ngushëllohemi së bashku përmes besimit të njëri-tjetrit, besimit tuaj dhe besimit tim. Dua ta dini, o vëllezër, se shumë herë kam pasur ndër mend të vij te ju, që vepra ime të kishte fryt edhe te ju si te kombet e tjera, por kam qenë i penguar deri tani. Unë u detyrohem edhe helenëve, edhe barbarëve, edhe të diturve, edhe të paditurve. Prandaj, për sa më takon mua, jam i gatshëm t'jua shpall ungjillin edhe juve që jeni në Romë. Unë nuk kam turp për ungjillin, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e të gjithë atyre që besojnë, për judeun së pari, si dhe për helenin. Në ungjill zbulohet se Perëndia i bën njerëzit të drejtë përmes besimit të plotë, sikurse është shkruar: i drejti do të jetojë prej besimit.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë