Dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur nga gjithë fiset e bijve të Izraelit. Dymbëdhjetë mijë të vulosur nga fisi i Judës; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Rubenit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Gadit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Asherit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Neftalimit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Manaseut; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Simeonit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Levit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Isaharit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Zabulonit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Jozefit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Benjaminit. Pastaj pashë një turmë të madhe nga çdo komb, fis, popull e gjuhë, që askush nuk mund ta numëronte. Turma qëndronte para fronit e para Qengjit, veshur në të bardha e me palma në duar. Njerëzit e turmës thërrisnin me zë të lartë: «Shpëtimi vjen nga Perëndia ynë që rri ulur në fron dhe nga Qengji». Të gjithë engjëjt qëndronin përreth fronit, pleqve dhe katër gjallesave. Pastaj ranë përmbys para fronit me fytyrë përdhe dhe adhuruan Perëndinë kështu: «Amen! Bekimi, lavdia, urtia, falënderimi, nderi, fuqia e pushteti janë të Perëndisë tonë, në shekuj të shekujve. Amen!». Atëherë një nga pleqtë më pyeti: «Kush janë këta të veshur me rroba të bardha? Nga kanë ardhur?». Unë iu përgjigja: «Imzot, ti e di». Ai më tha: «Këta janë ata që kanë ardhur nga përndjekja e madhe. Ata i kanë larë rrobat dhe i kanë zbardhur ato me gjakun e Qengjit. Prandaj qëndrojnë para fronit të Perëndisë e i shërbejnë ditë e natë në tempullin e tij. Ai që rri në fron do të banojë përherë mes tyre. Nuk do të kenë më as uri, as etje e as dielli, as i nxehti nuk do t'i djegë më. Qengji që rri në mes të fronit do të jetë bariu i tyre dhe do t'i drejtojë për te burimet e ujërave të jetës dhe Perëndia do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre».
Lexo Zbulesa 7
Dëgjoj Zbulesa 7
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Zbulesa 7:4-17
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video