Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Zbulesa 22

22
1Pastaj më tregoi lumin e ujit të jetës, që shkëlqente si kristal e buronte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit. 2Në mes të sheshit të qytetit, në të dyja anët e lumit ishte pema e jetës, që jep dymbëdhjetë fryte, nga një në çdo muaj, ndërsa gjethet e saj shërbejnë për shërimin e kombeve.
3Nuk do të ketë më asnjë mallkim, por atje do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit dhe shërbëtorët e tij do ta adhurojnë. 4Do të shohin fytyrën e Perëndisë dhe emrin e tij do ta kenë të shkruar në ballë. 5Nuk do të ketë më natë dhe nuk do të kenë nevojë as për dritën e pishtarit e as për dritën e diellit, sepse do t'i ndriçojë Zoti Perëndi dhe do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
Ardhja e Krishtit
6Pastaj engjëlli më tha: «Këto fjalë janë të besueshme e të vërteta. Zoti Perëndi, frymëzuesi i profetëve, dërgoi engjëllin e vet t'u tregojë shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin së shpejti. 7“Ja ku po vij shpejt!”, thotë Jezui. Lum ai që zbaton fjalët profetike të këtij libri!».
8Unë, Gjoni, i pashë dhe i dëgjova këto gjëra. Kur mbarova së dëgjuari e së pari, rashë përmbys para këmbëve të engjëllit që m'i tregoi, për ta adhuruar atë. 9Por ai më tha: «Mos! Unë jam shërbëtor si ti, si vëllezërit e tu profetë dhe si ata që zbatojnë fjalët e këtij libri. Adhuro Perëndinë!». 10Pastaj më tha: «Mos i mbaj të fshehta fjalët profetike të këtij libri, se koha e tyre është afër. 11I padrejti le të vazhdojë të jetë i padrejtë dhe i ndoturi, i ndotur. I drejti le të vazhdojë të jetë i drejtë dhe i shenjti, të shenjtërohet».
12«Ja ku po vij shpejt!», thotë Jezui. «Me vete kam shpërblimin që do t'i jap secilit sipas veprave të tij. 13Unë jam Alfa e Omega, i pari e i fundit, fillimi e mbarimi.
14Lum ata që i lajnë rrobat e veta#22.14 dorëshk. të tjera: Lum ata që zbatojnë porositë e tij, se do të kenë të drejtë të hanë nga pema e jetës e të hyjnë në qytet nga portat. 15Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe të gjithë ata që e duan dhe e vënë në zbatim gënjeshtrën.
16Unë, Jezui, ju kam dërguar engjëllin tim për t'ju dëshmuar këto gjëra nëpër kisha. Unë jam rrënja dhe fisi i Davidit, jam ylli i shndritshëm i mëngjesit».
17Shpirti dhe nusja thonë: «Eja!».
Edhe kush dëgjon, le të thotë: «Eja!».
Kush ka etje, le të vijë. Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.
18Unë, Gjoni, po u them të gjithë atyre që dëgjojnë fjalët profetike të këtij libri, se kush u shton ndonjë gjë atyre, edhe Perëndia do t'i shtojë atij plagët që shkruhen në këtë libër. 19Atij që heq ndonjë gjë nga fjalët profetike të këtij libri, Perëndia do t'ia heqë pjesën nga pema e jetës dhe nga qyteti i shenjtë, që përshkruhen në këtë libër.
20Ai që i dëshmon këto, thotë: «Po, po vij shpejt».
Amen! Eja Zoti Jezu!
21Hiri i Zotit Jezu qoftë me të gjithë!

Aktualisht i përzgjedhur:

Zbulesa 22: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë